Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka miratuar shitjen e 32 aeroplanëve ushtarakë të kategorisë, F-35, për Poloninë, të cilët njëherësh konsiderohen pajisjet më të avancuara luftarake.
Marrëveshja në vlerë të 6.5 miliardë dollarëve duhet të miratohet edhe nga Kongresi në mënyrë që të finalizohet.
Varshava ka rritur dukshëm shpenzimet në mbrojtje prej kur ushtria e Rusisë ka aneksuar Gadishullin e Krimesë nga Ukraina më 2014 dhe ka nisur të ofrojë mbështetje në luftën në lindje të Ukrainës, që ka lënë të vdekur më shumë se 13,000 persona.
Përveç kësaj, Polonia edhe u ka kërkuar Shteteve të Bashkuara që të krijojnë një bazë të përhershme ushtarake në këtë shtet.
Presidenti Trump ka njoftuar në muajin qershor se do të dërgojë 1,000 trupa shtesë në Poloni për të zgjeruar numrin e forcave meqë 5,000 veçse janë aty.
“Kjo shitje e propozuar e aeroplanëve F-35 do t’i ofrojë Polonisë kapacitetet kredibile për mbrojtje, në mënyrë që të luftohet agresioni në rajon dhe të sigurohet ndërveprimi me forcat amerikane”, është thënë në një njoftim të Agjencisë për Bashkëpunim në Mbrojtje.
Gjenerata e pestë e aeroplanëve amerikanë do t’i zëvendësojë pajisjet ruse MiG-29 dhe Su-22.