Presidenti i ShBA-ve, Donald Trump në prill të vitit 2019 kishte shpallur organizatë terroriste Gardën Revolucionare të Iranit, Gjeneral i së cilës ishtë Qasem Soleimani i vrarë dje nga ushtria amerikane në aeroportin e Bagdadit në Iraq.
Qasem Soleimani ishte gjeneral i lartë në Trupat e Rojeve Revolucionare të Iranit dhe nga viti 1998 ishte komandant i forcave Kuds, të cilat janë kryesisht përgjegjëse për operacionet e jashtme dhe klandestine. Ai e kishte filluar karrierën ushtarake në luftën mes Iranit dhe Irakut në vitet e tetëdhjeta, kur kishte shërbyer si komandant i Divizionit të 41-të. Më vonë, ai u angazhua në operacione të jashtme, duke ofruar ndihmë ushtarake për Hezbollahun në Liban.
Në vitin 2012, Soleimani i ofroi ndihmë edhe qeverisë së diktatorit sirian, Bashar Al Assad, i cili është aleat i rëndësishëm i Iranit. Ai dha asistencë edhe për forcat shiite në Irak, të përkrahura nga Tehrani.
Soleimani u vra nga një sulm me dron nga forcat amerikane më 3 janar, përderisa ishte duke udhëtuar me një veturë afër aeroportit të Bagdadit. Përpos tij, në këtë sulm mbetën të vrarë edhe disa pjesëtarë irakianë të Forcave Popullore të Mobilizimit. Në pozitën e tij tashmë është emëruar gjenerali Esmail Ghaani.
Kosova është pjesë e koalicionit global kundër terrorizmit, ndërsa është përqendruar për një kohë të gjatë në ndërprerjen e valës së luftëtarëve të huaj dhe pengimin e financimit të grupeve terroriste.
Në qershor të vitit 2019, Presidenti i Kosovës me dekret ka kërkuar nga institucionet e sigurisë që Kosova të zbatojë listën e Bashkimit Evropian të personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste.
Në komunikatën e zyrës së Presidentit thuhej se Kosova ka dëshmuar në vazhdimësi përkrahje të pakompromis në luftën kundër ekstremizmit, radikalizmit dhe terrorizmit, duke dhënë shembull të mirë për tërë rajonin. “Si pjesë aktive e aleancës globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, Republika e Kosovës do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë për eliminimin e çfarëdo rreziku që i kanoset Kosovës dhe partnerëve të saj”, thuhet në komunikatën e zyrës së presidentit të Kosovës.