Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump thotë se “me gjasë” do të bisedojë me homologun e tij rus Vladimir Putin dhe atë kinez Xi Jinping, lidhur me situatën në Venezuelë.
SHBA-ja ka qëndrim të kundërt me Rusinë dhe Kinën lidhur me krizën në Venezuelë.
“Ne me gjasë do të bisedojmë (për situatën në Venezuelë) në një pikë”, u tha gazetarëve presidenti Trump.
“Unë do të flas me shumë njerëz, ndoshta me presidentin Putin, ndoshta me presidentin Xi të Kinës”, tha Trump.
Komentet e Trumpit vijnë pasi Uashingtoni dënoi dërgimin e forcave ushtarake të Rusisë në Venezuelë, ku zyrtarët e lartë amerikanë thanë se prania e trupave ruse do të destabilizojë këtë shtet, i cili tashmë përballet me një krizë politike dhe ekonomike.
“Ne paralajmërojmë aktorët e jashtëm të hemisferës Perëndimore, kundër vendosjes së aseteve ushtarake në Venezuelë apo diku tjetër në hemisferë, me qëllim të krijimit ose zgjerimit të operacioneve ushtarake”, u tha në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë më 29 mars.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Venezuelë, Elliott Abrams tha se Uashingtoni vlerëson se janë rreth 100 pjesëtarë të personelit ushtarak të Rusisë në Venezuelë dhe se prania e tyre është “jashtëzakonisht e dëmshme”.
Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe shumica e aleatëve të tyre evropianë, po kërkojnë që presidenti i kontestuar i Venezuelës, Nicholas Maduro të largohet – duke argumentuar se rizgjedhja e tij në zgjedhjet e vitit 2018 nuk ishte legjitime.
Maduro gëzon mbështetjen e Rusisë, Kinës, Iranit, Sirisë dhe Kubës. SHBA-ja dhe mbi 50 shtete të tjera, kanë njohur Juan Guaidon si president të përkohshëm të Venezuelës.