Ish-presidenti Donald Trump mbërrin me ish-zonjën e parë Melania Trump dhe Barron Trump gjatë një eventi natën e zgjedhjeve në Qendrën e Konventave Palm Beach më 6 nëntor, në West Palm Beach, Florida. John Moore/Getty Images
Donald Trumpi ka mbajtur fjalimin e fitores në Florida pas rezultateve të fundit në zgjedhjet për president të SHBA-së.
Ai ka thënë para përkrahësve të tij se: “Zoti ma kurseu jetën për një arsye”.
“Dhe kjo arsye ishte për të shpëtuar vendin tonë dhe për të rikthyer Amerikën në madhështinë. Dhe tani ne do ta përmbushim atë mision së bashku”, deklaroi ai.
Trump pas fitores: Do të luftoj për ju me secilën frymë të trupit tim
Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale, pasi televizioni “Fox Neës” parashikoi se ai e ka mposhtur demokraten Kamala Harris.
“Amerika na ka dhënë një mandat të pashembullt dhe të fuqishëm” – tha ai të mërkurën herët para një turme të ngazëllyer, raporton agjencia “Reuters”.
Kandidati republikan për nënpresiden, JD Vance, e falënderoi ish-presidentin Trump që e lejoi t’i bashkohej fushatës së tij.
Duke folur para turmës në West Palm Beach, Vance e falënderoi Trumpin për, siç tha ai, “besimin që e ke vendosur mbi mua”.
“Mendoj se ne porsa ishim dëshmitarë të rikthimit më të madh politik në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës” – tha Vance, edhe pse votat ende janë duke u numëruar në disa shtete.
Ai premtoi se Trumpi dhe ai tani “do ta udhëheqin rikthimin më të madh ekonomik në historinë amerikane”.
Mediat e tjera ende nuk e kanë shpallur të mbyllur garën, por duket se ai është buzë fitores, pasi u shpall triumfues në shtete kyçe si Pensilvania, Karolina e Veriot dhe Georgia, si dhe është në epërsi aktualisht në katër shtetet e tjera të rëndësishme, sipas qendrës “Edison Research”.
Trumpi e përmendi pak vrasjen në tentativë që u bë ndaj tij në korrik, kur një plumb ia rroku veshin në një tubim.
Ai tha para turmës se “u shpëtua për një arsye”, siç kishte thënë disa herë gjatë fushatës.