Trump pranon qëllimin e takimit të djalit të tij me avokaten ruse

Prishtinë | 06 Gus 2018 | 12:40 | Nga

Presidenti amerikan, Donald Trump ka pranuar se takimi i qershorit në vitin 2016 në Kullën Trump në Nju Jork mes ekipit të djalit të tij me një avokate të lidhur me Kremlinin është bërë për të pranuar informacione për kundërshtarë politikë, mirëpo sipas tij gjithçka ka qenë “ligjore”.

Në një postim më 5 gusht, Trump ka thënë se takime të këtij lloji “janë bërë gjithmonë në politikë”.

Sipas një dëshmie të Kongresit, në takimin e vitit 2016 kishin marrë pjesë, djali i presidentit Trump, Donald Trump Junior, dhëndrri i tij, Jared Kushner, udhëheqësi i fushatës së Trumpit atë kohë, Paul Manafort, avokatja ruse, Natalya Veselnitskaya dhe disa persona tjerë.

Takimi kishte ndodhur pasi në ndërmjetësues rus i kishte thënë djalit të Trumpit se një zyrtar rus kishte dokumente që do të dëmtonin rivalen e Trumpit në zgjedhje, Hillary Cilinton.

Veselnitskaya ka kundërshtuar se ka punuar si përfaqësuese e Kremlinit kur është takuar me ekipin e Trumpit, duke i thënë Kongresit se ajo vepron “ e pavarur nga trupat tjerë qeveritarë”.

Mirëpo Associated Press kishte raportuar më 27 korrik se pas rishikimit të dokumenteve, është parë se Veselnitskaya ka punuar më shumë me zyrtarët rusë, në krahasim me periudhat tjera.

Postimi i Trumpit në Twitter përbën deklaratën e tij më direkte, sa i përket këtij takimi, ndonëse djali i tij dhe të tjerët kanë pranuar se në takim është diskutuar për mbledhjen e informatave për Clintonin.

Presidenti amerikan ka deklaruar më herët se në takim është diskutuar për adoptimin e fëmijëve rusë nga amerikanët.

Në Twitter, Trump po ashtu ka thënë se nuk është i shqetësuar nëse djali i tij mund të përballet me procedura ligjore për këtë takim.

“Lajme të rreme, fabrikim total është fakti se unë jam i shqetësuar për takimin e djalit tim fantastik, Donald në Kullën Trump. Ky ka qenë takim për të marrë informata për një kundërshtar, takim plotësisht ligjor, i cili bëhet në gjithë kohën në politikë”, është shprehur ai.

Këshilltari Special, Robert Mueller në anën tjetër është i angazhuar për të hetuar nëse ekipi i fushatës së Trumpit është koordinuar me Rusinë për të kthyer rezultatin e zgjedhjeve në të mirë të tij.

Trump deri më tani ka kundërshtuar çdo bashkëpunim me Moskën dhe ka cilësuar hetimet në SHBA si “gjuetinë më të madhe të shtrigave në histori”.

Pse është kontravers takimi në Kullën Trump?

Është e zakonshme për politikanët amerikanë të bëjnë kërkime për kundërsharët e tyre gjatë fushatës.

Megjithatë, ekspertë ligjorë kanë thënë se Trump Junior mund të ketë rënë në kundërshtim me ligjet për financim të fushatës, të cilat ndalojnë pranimin e gjithçkaje me vlerë nga ndonjë qeveri apo shtetas i huaj.

Gatishmëria e tij për t’u takuar në mënyrë që të pranojë informata për Clintonin mund të ketë thyer ligjet për komplot.

Një nga avokatët e Trumpit, Jay Sekulow, ka thënë të dielën se takimi nuk shkakton shkelje të asnjë ligji.

“Pyetja është se cili ligj apo rregull është thyer? Askush nuk ka përmendur asgjë”, ka thënë ai për ABC News.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka hedhur poshtë akuzat se Qeveria e tij ka ndërhyrë në zgjedhje, pavarësisht të dhënave të agjencive amerikane të inteligjencës dhe atyre për zbatim të ligjit se Moska ka ndërhyrë në fushatën shtetërore, përmes emaileve dhe manipulimit të opinionit publik.

Ish-drejtuesi i fushatës së Trumpit, Paul Manafort, aktualisht është duke u përballur me gjyq në një gjykatë federale në Virxhinia për mashtrime bankare, ndonëse është raportuar se akuzat për të nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme