Trump: Të gjithë të përfshirët në manipulimin e zgjedhjeve në SHBA do të ndëshkohen – Analistët: Sytë drejt Vuçiqit dhe Beogradit

FILE - President Donald Trump listens to Serbian President Aleksandar Vucic speak during a signing ceremony with Kosovar Prime Minister Avdullah Hoti, in the Oval Office of the White House, Friday, Sept. 4, 2020, in Washington. (AP Photo/Evan Vucci, File)
Prishtinë | 23 Jan 2026 | 09:17 | Nga Ekonomia Online

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar nga Davosi se të gjithë personat që kanë marrë pjesë në, siç e quajti ai, vjedhjen e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të përballen me drejtësinë.

Gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Botëror, Trump tha se hetimet për manipulimin e zgjedhjeve janë drejt përfundimit dhe se përgjegjësit do të ndiqen penalisht, shkruan Nova

“Të gjithë ata që ishin të përfshirë në vjedhjen e zgjedhjeve të vitit 2020, kur fitorja ime u vodh përmes makinave të Dominion, do të mbahen përgjegjës. Hetimi është në fazën përfundimtare”, deklaroi Trump.

Kjo deklaratë ka ringjallur sërish debatet për rolin e Serbisë në zgjedhjet amerikane, pasi kompania “Dominion Voting Systems”, e cila u përdor për numërimin e votave në zgjedhjet e vitit 2020, ka lidhje operative me Beogradin, ku ndodhet selia e saj evropiane.

Analisti politik serb Dushan Janjiq ka deklaruar se pas fjalimit të Trumpit në Davos është e qartë se hetimi për manipulimin e zgjedhjeve është në zhvillim dhe se përfshin edhe Beogradin.

“Deri më tani ka pasur paralajmërime se një adresë IP nga Serbia është përdorur në një fushatë kundër Trumpit gjatë zgjedhjeve presidenciale amerikane. Këto informacione nuk ishin konfirmuar zyrtarisht, por pas fjalimit të Trumpit në Davos, tani është e qartë se hetimi po zhvillohet dhe se përfshin edhe Serbinë”, ka thënë Janjiq për agjencinë Beta.

Ai ka shtuar se përgjegjësia operative bie mbi Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), ndërsa përgjegjësia politike, sipas tij, çon drejtpërdrejt te presidenti Aleksandar Vuçiq.

“Ngrihet pyetja se deri ku do të shkojë hetimi dhe nëse do të përfshijë edhe Vuçiqin, i cili kontrollon gjithçka në Serbi. Kjo do të ishte një situatë jashtëzakonisht e rëndë, sepse do të nënkuptonte se një shtet ka ndërmarrë një operacion kriminal kibernetik kundër një shteti tjetër – në këtë rast, kundër SHBA-së. Se kush do të ndiqet penalisht, do ta vendosë prokurori amerikan”, ka deklaruar Janjiq.

Edhe komentatori i politikës së jashtme, Boskko Jakshiq, vlerëson se çështja e manipulimit të zgjedhjeve amerikane është pika më e ndjeshme në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Beogradit.

Sipas tij, kjo temë përfaqëson ndoshta pengesën më të madhe për një afrim të vërtetë mes dy vendeve dhe shpjegon pse administrata amerikane i mban sytë te lidershipi serb sa herë përmendet ndërhyrja në zgjedhjet e SHBA-së.

Të ngjashme