President i ShBA-së, Donald Trump, ka thënë se Huawei mund të jetë pjesë e një marrëveshje tregtare mes ShBA-së dhe Kinës, pavarësisht se e ka cilësuar këtë kompani si “shumë të rrezikshme”.
Lufta tregtare mes SHBA-së dhe Kinës është përshkallëzuar në javët e fundit me rritjen e taksave dhe kërcënimeve për më shumë veprime.
Washingtoni e ka vendosur Huawei në ‘listën e zezë’ tregtare, transmeton Klan Kosova.
ShBA insiston që Huawei rrezikon sigurinë kombëtare, derisa Pekini akuzon ShBA-ja se e kanë “ngacmuar” kompaninë.
“Huawei është diçka që është shumë e rrezikshme. Ju e shihni se çfarë kanë bërë nga pikëpamja e sigurisë, nga një pikëpamje ushtarake. Shumë e rrezikshme”, u ka thënë Trump gazetarëve të enjten në Shtëpinë e Bardhë.
Javën e kaluar, administrata Trump e ka shtuar Huawei – krijuesi i dytë më i madh në botë për smartphone – në listën e cila e ndalon kompaninë nga blerja e teknologjisë nga firmat amerikane, pa miratimin e qeverisë.
Por, presidenti amerikan ka thënë se është “e mundshme” që kompania mund të jetë pjesë e ndonjë marrëveshjes tregtare me Pekinin.
“Nëse ne bëjmë një marrëveshje, unë mund ta imagjinoj që Huawei të përfshihet në ndonjë formë apo pjesë të saj”, ka deklaruar ai.