Një gjykatëse në Nju Jork e urdhëroi presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të paguajë dy milionë dollarë për keqpërdorim të fondeve nga fondacioni i tij bamirës, për të financuar fushatën e tij politike të vitit 2016.
Fondacioni Donald Trump u mbyll më 2018.
Prokurorët thanë se ai ka funksionuar për interesat e Trumpit.
Bamirësi të tilla si ajo që ka udhëhequr Trump, së bashku me tre fëmijët e tij, nuk mund të përfshihen në politikë, tha gjykatësja Saliann Scarpulla.
Sipas saj, Trump e ka “shkelur detyrën e besimit”, duke lejuar që fondet e mbledhura për veteranët amerikanë, të përdoren për zgjedhjet paraprake në Ajoa, më 2016, përcjell rel.
“E udhëzoj Trumpin që të paguajë 2 milionë dollarë, të cilat do të shkonin te fondi i tij sikur të ekzistonte”, tha gjykatësja dhe shtoi se paratë do të shkojnë tani në tetë organizata tjera bamirëse, me të cilat Trump nuk ka lidhje.
Trump u përgjigj me një postim në Twitter, duke thënë se “çdo qindarkë” e fondit të tij ka shkuar në bamirësi.
“Unë jam personi i vetëm që njoh, ndoshta i vetmi në histori, që mund të japë shuma të mëdha parash për bamirësi, pa asnjë shpenzim, dhe që sulmohet nga hakerët politikë të shtetit të Nju Jorkut”, tha Trump.