Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka shfrytëzuar mesazhin e tij vjetor drejtuar iranianëve dhe të tjerëve që kremtojnë Novruzin, Vitin e Ri persian, për të kritikuar qeverinë e Iranit dhe Gardën Revolucionare Islamike.
“Ju uroj Novruzin miliona njerëzve në mbarë botën që festojnë ardhjen e pranverës”, ka thënë Trump në mesazhin e tij.
Ai ka shtuar se beson se populli iranianë janë të damkosur nga “sundimtarët që u shërbejnë vetes së tyre në vend që t’u shërbejnë popullit”.
Trump e ka quajtur Gardën Revolucionare Islamike “ushtri armiqësore që brutalizon dhe vjedh nga populli iranianë dhe financon terrorizmin jashtë vendit”.
Ai ka thënë se kjo gardë ka shpenzuar mbi 16 milionë dollarë për të përkrahur qeverinë siriane dhe për të mbështetur grupet militane shiite në Siri, Irak dhe Jemen.
Gjuha e ashpër e përdorur nga Trumpi dallon nga viti i kaluar, kur në mesazhin e tij urues për kremtën e Novruzit, ai nuk kishte përmendur fare problemet politike.
Novruzi është festa kryesore në Iran, ku familjet atje festojnë së bashku. Kjo festë festohet edhe në vendet e tjera myslimane në mbarë botën.