Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është akuzuar se ka bërë komente fyese për dëshmorët amerikanë gjatë një vizite në Francë në vitin 2018, duke i quajtur ata humbës.
Kur kreu i Shtëpisë së Bardhë e kishte anuluar vizitën në Varrezat Amerikane në Paris në vitin 2018, ai kishte thënë se këtë vendim e kishte marrë për shkak të reshjeve të shiut, duke thënë se helikopteri nuk mund të fluturonte, ndërsa shërbimi sekret nuk do ta dërgonte atje me veturë. Sidoqoftë, asnjëra nuk ishte e vërtetë.
Sipas katër personave me njohuri për bisedën e asaj dite, presidenti amerikan e refuzoi vizitën në ato varreza për shkak se kishte frikë se shiu do t’ia çrregullonte flokët dhe për shkak se besonte që nuk është e rëndësishme të nderohen amerikanët e vdekur në luftë.
Në një bisedë me anëtarët e lartë të stafit të tij në mëngjesin e ditës së caktuar për vizitë në varreza, ai raportohet të ketë thënë: “Pse duhet të shkoj në ato varreza? Ato janë të mbushura me humbës”, shkruan The Atlantic, transmeton Gazeta Express.
Beteja Belleau Ëood është një betejë ku forcat amerikane dhe forcat aleate e ndaluan avancimin e trupave gjermane drejt Parisit në pranverën e vitit 1918. Megjithatë, presidenti Trump raportohet se gjatë udhëtimit të vitit 2018 i kishte pyetur ndihmësit se kush ishin “burrat e mirë” në këtë luftë dhe kishte thënë se nuk e kuptonte pse Shtetet e Bashkuara duhej të ndërhynin në anën e aleatëve.
Në vitin 2015, presidenti Trump kishte shprehur përbuzje ndaj ish-senatorit të ndjerë, John McCain, i cili i kishte kaluar më shumë se pesë vjet si i burgosur në Vietnam. “Ai nuk është hero i luftës. Mua më pëlqejnë njerëzit që nuk janë kapur”, kishte deklaruar kreu i Shtëpisë së Bardhë për John McCain.