Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe lideri i Koresë Veriore, Kim Jong Un, kanë arritur në Vietnam një ditë para mbajtjes së samitit të dytë, në të cilin do të diskutohet për armët bërtahmore të Koresë Veriore.
“Sapo arrita në Vietnam. Faleminderit të gjithëve për pritjen e mrekullueshme në Hanoi. Sa shumë njerëz dhe sa shumë dashuri”, shkroi presidenti Trump në Twitter.
Në anën tjetër, lideri i Koresë Veriore, Kim Jong Un, ka ardhur në Hanoi me tren. Ky udhëtim ka zgjatur tri ditë dhe ka qenë rreth tre mijë kilometra i gjatë. Sidoqoftë, ai e bëri pjesën e fundit të udhëtimit me një veturë.
Të dy liderët, marrëdhëniet e të cilëve duket se janë përmirësuar gjatë samitit të parë në Singapor, do të takohen për një bisedë të shkurtër të mërkurën në mbrëmje dhe më pas do të hanë darkë së bashku.
Takimi i tyre i dytë po ndodh vetëm tetë muaj pas samitit të parë, i cili ishte takim historik mes liderëve të dy vendeve.
Qëllimi kryesor i takimit të dytë është arritja e marrëveshjes për hapa konkretë drejt çarmatosjes së Gadishullit Korean, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.