Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, doli nga spitali “Walter Reed” në orët e para të së mërkurës (sipas kohës në Kosovë) ku u trajtua për sëmundjen COVID-19.
Trumpi u transferua me helikopterin e tij Marine One në Shtëpinë e Bardhë dhe nuk dha ndonjë deklaratë për media.
Pak minuta para se të dilte nga spitali, ai bëri një postim në Twitter, ku tha se “do t’i kthehet fushatës zgjedhore së shpejti”.
Zgjedhjet presidenciale në SHBA do të mbahen më 3 nëntor.
Trumpi u diagnostikua me COVID-19 më 2 tetor, kur edhe u shtrua në spital.
Mjeku i Shtëpisë së Bardhë, Sean Conley, tha më herët se Trump “mund të mos jetë krejtësisht jashtë rrezikut”, porse ekipi mjekësor u pajtua se statusi dhe përparimi i presidentit “e mbështesin kthimin e tij të sigurt në shtëpi”.
Conley tha se Trumpi do të vazhdojë të jetë nën kujdesin e vazhdueshëm mjekësor.
Mjeku konfirmoi se presidenti vazhdon të trajtohet me deksametazon dhe se ka marrë tri doza të remdesivirit.
Ai do ta marrë edhe një dozë para se të lirohet nga spitali, ndërsa të pestën do ta marrë në Shtëpinë e Bardhë, tha Conley.
Sëmundja e Trumpit ka shkaktuar pasiguri në fushatën e tij për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Të hënën, ai shkroi afro 20 postime në Twitter, kryesisht për zgjedhjet.
Disa njerëz përreth tij, përfshirë gruan Melania, ndihmës dhe senatorë republikanë, kanë rezultuar pozitivë me virusin. \ REL