Trumpi kërcënon Iranin për sulmin e ambasadës amerikane në Irak

Prishtinë | 01 Jan 2020 | 09:11 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka kërcënuar drejtpërdrejt Iranin, duke thënë se ky shtet do të paguajë një çmim shumë të lartë për çdo jetë të humbur të amerikanëve dhe për çdo dëm material pas sulmit të ambasadës amerikane në Bagdad.

Qindra përkrahës të militantëve shiitë në Irak, shumë prej tyre të veshur me uniforma ushtarake, e sulmuan të martën ambasadën amerikane në Irak. Ata i dëmtyan dyert, ndezën zjarre dhe i sulmuan me tulla xhamat anti-plumb të ambasadës.

Ky sulm u krye në sy të forcave irakiane të sigurisë, të cilat nuk reaguan fare dhe i lejuan protestuesit të futen në Zonën e Gjelbër. Rojet amerikane u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës, por nuk i përdorën armët e zjarrit.

Pasi tha se ambasada amerikane në Irak është e sigurt, kreu i Shtëpisë së Bardhë shkroi në Twitter: “Irani do të mbahet plotësisht përgjegjës për jetët e humbura dhe dëmet e shkaktuara në secilën prej qendrave tona. Ata do të paguajnë një çmim shumë të lartë. Ky nuk është paralajmërim, është kërcënim. Gëzuar Vitin e Ri!”

Të dielën, forcat amerikane kryen sulme ajrore mbi bazat e një grupi militant që përkrahet nga Irani. Së paku 25 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën gjatë këtyre sulmeve, shkruan “The Guardian”

Të ngjashme