Trumpi miraton planin për tërheqjen e 9,500 trupave nga Gjermania

Prishtinë | 01 Kor 2020 | 15:46 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka miratuar planin për tërheqjen e 9,500 ushtarëve amerikanë nga Gjermania. Këtë lajm e konfirmoi Pentagoni.

Në këtë mënyrë, pritet që numri i përgjithshëm i trupave amerikane në Gjermani të zvogëlohet nga 34,500 në 25,000, shkruan “BBC”.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë më parë e ka akuzuar Gjermaninë se nuk është duke dhënë kontribut të mjaftueshëm në NATO.

Një zëdhënës i Pentagonit nuk dha hollësi për atë se ku mund të dërgohen ushtarët që do të largohen nga Gjermania. Megjithatë, presidenti Trump javën e kaluar tha se një pjesë e tyre do të vendoset në Poloni.

Gjatë një vizite të presidentit polak, Andrzej Duda, në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan tha: “Disa do të kthehen në shtëpi dhe disa do të shkojnë në vende të tjera. Polonia do të jetë një nga ato vendet e tjera”, deklaroi ai para disa ditësh.

Zëdhënësi i Pentagonit, Jonathan Hoffman, tha se do ta informojë Kongresin për rivendosjen e trupave gjatë javëve në vazhdim dhe më pas do të ketë konsultime me NATO-n për rrugën që duhet të ndiqet.

Vendimi i Shteteve të Bashkuara për tërheqjen e mijëra trupave ka shkaktuar shqetësim në Gjermani dhe te aleatët e tjerë të NATO-s për shkak të frikës nga zgjerimi i ndikimit rus.

Të ngjashme