Trumpi nënshkruan pakte me 9 kompani farmaceutike për uljen e çmimit të barnave

Prishtinë | 19 Dhj 2025 | 21:53 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe nëntë kompani të mëdha farmaceutike të premten njoftuan marrëveshje që do të sjellin ulje të çmimeve të ilaçeve që prodhohen prej tyre për programin qeveritar “Medicaid” dhe për ata që i blejnë me para të gatshme, në përpjekjen e tij më të re për t’i nivelizuar kostot e pacientëve amerikanë me të atyre në vendet e tjera të pasura.

Bëhet fjalë për kompanitë farmaceutike “Bristol Myers Squibb”, “Gilead Sciences”, “Merc”, “Gennentech”, “Novartis”, “Amgen”, “Boehringer Ingelheim”, “Sanofi” dhe GSK, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Sipas marrëveshjeve, secila prej këtyre kompanive do t’i ulë çmimet për shumicën e barnave që i shiten programit “Medicaid” për njerëz me të ardhura të ulëta, thanë zyrtarë të lartë të administratës amerikane, duke premtuar “kursime masive” në ilaçet që përdoren gjerësisht, pa dhënë shifra specifike.

Pacientët në ShBA tani për tani paguajnë dukshëm më së shumti për ilaçe që jepen me përshkrim të mjekut, shpesh gati trefish më shumë se në vende të tjera të zhvilluara, dhe Trumpi u ka bërë trysni kompanive farmaceutike që t’i ulin çmimet në nivelin që paguhet nga pacientët në shtete të tjera që krahasohen me Shtetet e Bashkuara sa u përket të ardhurave të popullsisë.

Të ngjashme