Trumpi premton mbështetjen e samitit G20

Prishtinë | 04 Kor 2017 | 13:09 | Nga

Presidenti amerikan Trump dërgon pak ditë para samitit të G20-ës sinjale miqësore në drejtim të kancelares Merkel. Por dallimet për shumë tema mbeten.

Megjithë dallimet e shumta për çështjen e klimës apo tregtisë mes SHBA dhe BE, Presidenti amerikan Donald Trump ka premtuar mbështetjen e kancelares gjermane Angela Merkel në samitin e G20-ës.

Gjatë një telefonate të hënën në darkë, Trump ka thënë se është i gëzuar që mund të ndihmojë kancelaren Merkel që samiti të ketë sukses, kumtoi Shtëpia e Bardhë, raporton DW.  Merkel dhe Trump kanë biseduar gjerësisht për çështjet si klima, mbrojtja e sipërmarrësve, tregtia, prodhimi i metalit etj.

Mendohet se Trump gjatë samitit që do të mbahet me 7 dhe 8 korrik, do të shkaktojë grindje për shkak të qëndrimeve të tij për një poliktikë proteksioniste në tregti dhe ekonomi si dhe kundërshtimet ndaj Marrëveshjes për Klimën.

Pritjet e matura

Merkel e ka kritikuar disa herë hapur politikën e Trumpit ndaj klimës dhe tregtisë, por pa e përmendur emrin e tij. Kancelarja do të jetë nikoqirja e samit të G20-ës në Hamburg. Ajo tha se nuk duhet pritur ndonjë sukses tepër i madh në samit. “Ne i dimë qëndrimet e qeverisë amerikane për disa çështje të caktuara dhe nuk pres që brenda samitit dy-ditor në Hamburg ato të ndryshojnë rrënjësisht”, tha Merkel.

Qeveria gjermane ka konfirmuar planet për një takim kokë më kokë mes kancelares dhe Trumpit gjatë samitit. Merkel prej ditësh është duke zhvilluar takime dhe konsultime për këtë samit. Javën e kaluar ajo është takuar me krerët e Bashkimit Evropian dhe vendeve evropiane që do të marrin pjesë në këtë samit.

Ndërkohë që të premten ka telefonuar edhe me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Këtë të martë dhe të mërkurën ajo do të takohet edhe me Presidentin e Kinës Xi Jinping, si dhe Koresë së Jugut, Moon JaeIn.

Presidenti i Brazilit megjithatë vjen

Presidenti i Brazilit Michel Temer duket se megjithatë do të vijë në samit. Kështu u tha të hënën në pallatin presidencial në Brazil. Javën e kaluar, Temer është akuzuar nga prokuroria e përgjithshme për korrupsion.

Është hera e parë që një president i Brazilit akuzohet për gjëra të tilla gjatë mandatit të tij. Për shkak të këtij procesi ai ka kumtuar më parë se nuk do të marrë pjesë në samit. Por duket se ai ka frikë që mungesa e tij mund të rezultojë me komplot të vendeve të tjera ndaj tij.

Brazili ka probleme të mëdha ekonomike, ndërsa akuzat ndaj tij me siguri që nuk e ndihmojnë presidentin në zbatimin e reformave. Portali “O Globo” njofton se këshilltarët e kanë bindur Temerin që të marrë pjesë në samit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme