Ish kapiteni i ushtrisë, Jair Bolsonaro është zgjedhur president i Brazilit pas zgjedhjeve të mbajtura ditën e diel në këtë shtet, duke premtuar ndryshim rrënjësor në shtetin e Amerikës Latine.
Pavarësisht deklaratave kundërthënëse për mbështetjen e tij të hapur për torturën e kryer nga regjimi i ushtrisë së mëparshme të Brazilit dhe cilësimit të tij si racist e homofobik, Bolsonaro ka arritur të fitojë votat duke shfrytëzuar zemërimin e popullatës për korrupsionin dhe krimin.
Rezultatet zyrtare e kanë shpallur atë fitues me 55.13 për qind të votave, derisa kundërshtari i tij i krahut të majtë Fernando Haddad ka fituar 44.87 për qind të votave, transmeton AFP.
Bolsonaro, politikan i të djathës ekstreme do të nisë mandatin presidencial më 1 janar.
“Ne do ta ndryshojmë së bashku fatin e Brazilit”, ka thënë ai në fjalimin e fitores.
Ai është zotuar se do të qeverisë “duke u bazuar në Bibël dhe kushtetutë” dhe ka thënë se “ne nuk mund të vazhdojmë flirtin me socializmin, komunizmin, populizmin dhe ekstremizmin e së majtës”.
Mijëra mbështetës të tij kanë mbushur sheshet dhe rrugët e Rio de Zhaneiros, duke ngritur flamuj brazilianë dhe duke nisur fishekzjarre.
“Të gjithë këta persona janë të zemëruar, të shqetësuar për krimin dhe korrupsionin, ne jemi me Bolsonaron. Njerëzit kanë folur. Për herë të parë ndjehem i përfaqësuar”, ka thënë Andre Luiz Lobo, 38 vjeçar.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se presidenti amerikan, Donald Trump ka telefonuar Bolsonaron për t’i uruar fitoren.
Përndryshe, Bolsonaro, i cili konsiderohet nga disa si “Trumpi tropikal”, ka treguar publikisht admirin për presidentin amerikan.
Premtim për luftë dhe rezistencë
Reagimi në anën tjetër ka qenë dëshpërues dhe kundërshtarët janë zotuar për të rezistuar.
Haddad, ish kryetar i Sao Paulos, ka thënë se ai do të luftojë “për të mbrojtur të drejtën e 45 milionë personave” që kanë votuar për të, pasi Bolsonaro ka premtuar në fund të fushatës për të “pastruar” Brazilin nga të majtit “e kuq”.
Ndihmësit e tij kanë thënë se Haddad, 55 vjeçar nuk e ka telefonuar Bolsonaron për ta uruar rreth fitores.
“Fashistët”, kanë bërtitur mbështetesit në selinë e Partisë së Punëtorëve të Haddadit në Sao Paulo.
“Unë jam befasur si brazilianët mund të votojnë për urrejtje dhe armë”, ka thënë Flavia Castelhanos, 31 vjeçare, pasi ka fshirë lotët, teksa ka qenë e rrethuar me persona të tjerë që duke qarë kanë kundërshtuar zgjedhjen e Bolsonaros.
Edhe analistët politikë dhe aktivitsët kanë reaguar me tonë të ashpra.
“Kjo është një ditë e zymtë për Brazilin, Demokracia braziliane tani është plotësisht në krizë”, ka thënë Mark Weisbrot nga Qendra për Kërkime Ekonomike dhe Politike në Uashington.
Grupi për mbrojtje të ambientit, Amazon Watch ka paralajmëruar se fitorja e Bolsonaros, i cili ka premtuar se nuk do të lejojë programet e ruajtjes të ndërhyjnë në agro-industri “do të thotë shkatërrim për Amazonin në Brazil”.
– Vota refuzuese-
Bolsonaro ka ofenduar shumë persona në Brazil dhe jashtë kufijve me retorikën e tij sarkastike.
Ai i ka thënë një ligjëvënëseje që e ka kundërshtuar se ajo “nuk është e vlefshme mjaftueshëm për t’u dhunuar”, ka thënë se më parë do të vdiste sesa të shihte djemtë e tij si gejë derisa pasi ka vizituar komunitetin e njerëzve me ngjyrë ka thënë se “ata nuk mund të bëjnë asgjë, janë aq të padobishëm, dyshoj se mund të bëjnë diçka”.
Mirëpo një numër edhe më i madh i votuesve ka kundërshtuar Haddad dhe Partinë e Punëtorëve, e cila ka fituar zgjedhjet presidencale në katër herët e fundit.
Votimet kanë ndodhur në kohën kur Brazili po përballet me recensionin më të keq, me skandale të lidhura me korrupsion në vlerë të miliarda dollarëve dhe raportim për numër rekord të krimeve të dhunshme.
Haddad ka shërbyer si zëvendësues për ish-presidentin e famshëm, por të burgosur, Luiz Inacio Lula da Silva, i cili ka udhëhequr Brazilin në periudhën 2003-2010, para se shteti dhe partia e tij e krahut të majtë janë dëmtuar rëndë.
Lulas i ishte ndaluar kandidimi në zgjedhje pasi është në burg si i dyshuar për korrupsion dhe pastrim parash.
Presidenti i qendrës së djathtë, Michel Temer, i cili pritet të largohet nga zyra si lideri me më së paku nam në demokracinë moderne të Brazilit, ka uruar Bolsonaron dhe ka thënë se procesi tranzitor do të fillojë nga dita e hënë.