Misionit të udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë, (KFOR), dje, e hënë, i është bashkuar kontingjenti i 27-të nga Maqedonia e Veriut.
Përmes një njoftimi për media është bërë e ditur se 44 trupa nga kazerma “Kuzman Josifovski – Pitu” në Tetovë, të udhëhequr nga kapiteni Hristijan Dimchevski, do të shërbejnë me qendër në Pejë.
“Detyrat e tyre do të përfshijnë patrullimin, sigurimin e Manastirit të Deçanit dhe ruajtjen e kampit ‘Villaggio Italia’ së bashku me kolegët e tyre italianë dhe moldavë. Elementë tjerë të kontigjentit do të punojnë si oficerë të shtabit në Shtabin qendror të KFOR-it në Prishtinë”, është thënë në komunikatë.
Komandanti i KFOR-jt në Kosovë, Gjeneral majori Michele Risi, ka thënë se para trupave maqedonase se “përpjekja e tyre do të ndihmojë në rritjen e lidhjeve dhe forcimin e marrëdhënieve midis Maqedonisë së Veriut dhe 26 kombeve të tjera që aktualisht shërbejnë me misionin e udhëhequr nga NATO, KFOR.”
Në vitin 2021, numri i pjesëtarëve të forcave maqedonase pritet të rritet në mbi 60.
Trupat paqeruajtëse të KFOR-it janë prezente në Kosovë nga viti 1999.