Trusti të do bëjë pagesën 5 deri në 7 ditë pas aplikimit për tërheqjen e 10%

Prishtinë | 09 Dhj 2020 | 08:07 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Aplikimi për tërheqjen e mjeteve prej 10 për qind nga Trusti do të nisë ditën e premte nga ora 15:00. E të gjithë ata që aplikojnë për këto mjete në ueb faqen e veçantë të krijuar, pagesat nga Trusti do të bëhen 5-7 ditë pas aplikimit, ka bërë të ditur Jeton Demi, zëdhënës në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, për Ekonomia Online.

Ai ka thënë transferimi i mjeteve në llogaritë e qytetarëve varet edhe sa merr kohë për të autorizuar nga banka  mjetet në llogaritë e qytetarëve, por sipas tij nuk presin që të ketë vonesa.

“Ne mund të informojmë për sa kohë ne bëjmë pagesën. Por nuk mund të përgjigjemi saktë sa kohë merr banka për të autorizuar mjetet që të kalojnë në llogarinë e tyre. Aktualisht jemi duke projektuar që pagesat e para do të bëhen brenda 5 deri 7 ditë, prej momentit të aplikimit të kryhen pagesat për ata kontribuues dhe mjetet të iu kalojnë në llogari në banka”.

“Por do të shihet edhe si do të jetë fluksi, sa kontribuues do të aplikojnë njëkohësisht dhe a do të ketë ndonjë detaj teknik që nuk është parashikuar e mund të na shfaqet, por besojmë që përgjegjësish nuk do të kemi vështirësi”, shtoi ai.

Demi, duke shpjeguar për mënyrën e aplikimit për tërheqjen e këtyre mjeteve ka thënë se gjithë procedura do të bëhet online, dhe se nuk do të jetë e komplikuar.

“Tërheqja e 10 përqindëshit nga Trusti do të bëhet vetëm online përmes internetit duke filluar prej datës 11 dhjetor e premte prej orës 15:00. Nuk do të ketë nevojë asnjë prej tyre që të aplikojë fizikisht dhe të vijnë të vizitojnë zyrën e trustit, por përmes pajisjeve të tyre dhe duke e përdorur internetin mund të kryejnë aplikimin”.

“Procedurat janë të thjeshta dhe gjithçka që duhet është numri personal i kontribuuesve që aplikon me llogarinë aktive bankare në Kosovë dhe këto janë dy informacionet  me të domosdoshme për aplikim”.

Ai ka shtuar se më qëllim të lehtësimit të aplikimit kanë krijuar një ueb faqe të re, ku edhe kanë shmangur të gjitha vështirësitë që janë kanë në uebfaqen e vjetër.

 Demi shtoi se kanë përgatitur një  uebfaqe të re (www. trusti10.org),përmes  së cilës mund të aplikohet dhe të menaxhohet situata  dhe shmangur të gjitha vështirësitë.

“Tani ne kemi përgatitur një uebfaqe të re tërësisht ndryshe nga ajo që ka qenë dhe e ndërtuar  me kapacitete tona të cilën mund ta menaxhojmë sipas nevojave që kemi dhe besoj që i kemi shmangur gati të gjitha vështirësitë që kanë qenë në platformën e vjetër. Kemi fluks të shtuar të qytetarëve që vijnë. Ne kemi përgatitur edhe fletushka për të informuar ku të  drejtohen për aplikim. Në ato fletushka është dhënë portal ku duhet të shkohet dhe çfarë informacione kërkohet të plotësojnë ata. Ky shërbim do të jetë edhe përmes televizioneve në ditët në vijim për të pasur mundësi të informohen të gjithë kontribuuesit”, tha Demi.

Sipas tij, ligji parasheh që  kontribuuesit të kenë  4 muaj që të aplikojnë për tërheqjen e 10 përqindëshit nga trustit që i bie deri me datën 6 prill 2021.

“Ligji parasheh që prej datës ë hyrjes në fuqi 4 muaj kanë kohë kontribuuesit që të aplikojnë për tërheqjen e 10 përqindëshit të trustit që i bie data 6 prill 2021 është data e fundit për aplikim pas kësaj date nuk do të mund të aplikojnë për tërheqje të 10 përqindëshit”.

Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike i cili mundëson tërheqjen e 10 përqindëshit nga Trusti është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 4 dhjetor. Ky ligj po ashtu parasheh ribursim të mjeteve të tërhequra  nga Qeveria për të gjitha atë që kanë kursime deri në 10 mijë euro.

Të ngjashme