Kryeministri grek, Alexis Tsipras ka fituar një mocion mosbesimi këtë të premte, vetëm pak javë përpara zgjedhjeve për Parlamentin Europian, që do të jenë njëkohësisht edhe testi i parë për mundësitë e rikonfirmimit të qeverisë së tij në zgjedhjet parlamentare të vjeshtës së këtij viti.
Shefi i ekzekutivit e ktheu një mocion kundërshtimi ndaj një prej ministrave të tij në një votim mosbesimi ndaj qeverisë në përgjithësi këtë javë. Votimi, gjithsesi tregoi se 153 deputetë e mbështetën qeverinë, në Parlamentin me 300 vende. Nga ky total, vetëm 289 deputetë ishin të pranishëm në votim.
Qeveria e Tsiprasit, mandati i së cilës përfundon në tetor, ndjek konservatorët opozitarë në sondazhet e opinionit publik. Vota për Parlamentin Europian, më 26 maj, do të mbahet paralelisht me zgjedhjet lokale në Greqinë fqinje.
Më herët gjatë kësaj jave, qeveria njoftoi një seri masash për vitet 2019-2021, me synimin për të lehtësuar barrën financiare të grekëve, përfshi këtu ulje të taksave dhe një përfitim të përhershëm për pensionistët, të cilët panë t’iu pakësoheshin të ardhurat gjatë krizës më të thellë të borxhit në vendin helen, që shpërtheu një dekadë më parë.
Greqia mundi të dilte nga programi i tretë i ndihmës së ndërkombëtarëve në gusht të vitit të kaluar, ndërsa prej atëherë e deri më sot ka shënuar performanca pozitive sa u përket objektivave fiskale, duke i dhënë kështu Tsiprasit një mundësi për të kënaqur orekset e qytetarëve grekë përpara zgjedhjeve të përgjithshme të këtij viti.