Gjatë një dalje para popullit grek mbrëmjen e së shtunës, kryeministri grek Alexis Tsipras ka njoftuar lidhur me situatën politike dhe zhvillimet në marrëdhëniet mes Greqisë dhe vendeve fqinje, Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Lidhur me Shqipërinë, Tsipras ka bërë me dije se dialogu me palën shqiptare për çështjet mes dy vendeve duket se ka qenë produktiv dhe dy vendet janë të gatshme për të hapur një epokë të re në marrëdhëniet dypalëshe.
“Për fqinjin Shqipërinë informova liderët politikë se është hapur rruga për zgjidhjen e divergjencave dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve. Jemi gati për një marrëveshje strategjike Greqi-Shqipëri, e cila do të zgjidhë divergjencat mes dy vendeve dhe hap rrugën për kapitujt integrues të fqinjit tonë në Bashkimin Evropian. Lidhur me këtë duket se kemi dakordësi të cilën edhe e përshëndes”, tha Tsipras.
Duke folur për Maqedoninë, Tsipras theksoi nevojën e zgjidhjes së ngërçit të emrit, çka sipas tij do të çlirojë energji pozitive në gjithë rajonin e Ballkanit.
E ndërsa për çështjet me Shqipërinë duket se e gjithë politika greke inkurajon një zgjidhje, për emrin e Maqedonisë të gjithë liderët politikë kanë shprehur kundërshtitë e tyre për të mos pranuar një zgjidhje me përmbajtjen e emrit “Maqedoni” në emërtimin e fqinjit verior të Greqisë.