Pas tragjedisë së tmerrshme në Athinë, kryeministri grek, Aleksis Tsipras merr përgjegjësinë. „Sot duhet të pranojmë me dhimbje, se qeverisim një vend që dominohet nga shkelja e rregullit”, tha ai.
Në një takim krize të kabinetit të qeverisë greke, kryeministri grek, Aleksis Tsipras u shpreh thellësisht i tronditur për viktimat e zjarreve të tmerrshme në djegiet e pyjeve në afërsi të Athinës. Viktimat kanë humbur jetën „në mënyrë të pajustifikuar dhe të pabesueshme”. Tsipras tha para këshillit të ministrave që u transmentua në televizion se “unë marr përgjegjësinë politike për këtë tragjedi”.
Numri i viktimave u rrit të premten në 87 vetë, pasi forcat e shpëtimit gjetën edhe 5 kufoma në Mati, pranë Athinës. Në këtë katastrofë humbën jetën nga zjarret më shumë vetë se kurrë ndonjëherë në Europë në këtë shekull.
Një nga shkaqet për efektin e tmerrshëm të zjarreve ka qenë edhe ndërtimi ilegal i shtëpive, që qeveritë e mëparshme i kanë toleruar, deklaroi kryeministri grek. „Sot duhet të pranojmë me dhimbje, se qeverisim një vend që dominohet nga shkelja e rregullit”. Ai premtoi të gjitha masat e nevojshme për të ndryshuar këtë gjendje dhe për të ndihmuar njerëzit. Ekspertët kishin kritikuar më parë, se planifikimet e pamenduara kanë ndihmuar në përhapjen e flakëve. Ndërtesat janë ngritur shumë pranë pyjeve dhe mungojnë rrugët për automjetet e zjarrfikësve. Ministri i Brendshëm grek, Panos Skourletis u shpreh se zona „duhet të rindërtohet”. „Duhet të hapen rrugët, të hapet mundësia për të shkuar në det.”
Ndërsa kryebashkiaku, Evangelos Bournos tha se forcat e shpëtimit kishin bllokuar edhe ato pak rrugëdalje, duke i penguar pa dashur banorët e prekur që të largoheshin. „Të gjithë kemi përgjegjësi, qeveria, forcat e shpëtimit, qytetarët.” Opozita greke e kritikoi qeverinë pas përfundimit të zisë shtetërore. Nea Demokratia u shpreh, se nuk ka dëgjuar asnjë lutje për falje nga qeveria. Qeveria nuk ia doli të mbrojë jetët e njerëzve dhe pronën e tyre./DW