Kryeministri i Greqisë Alexis Tsipras pritet të përballet me një votim parlamentar të besimit të mërkurën, pasi partneri i tij i koalicionit të krahut të djathtë, vendosi të prishë marrëveshjen për shkak të divergjencave mbi paktin që pritet të zgjedhë çështjen e emrit të Maqedonisë.
Koalicioni qeverisës i Greqisë për katër vjetët e fundit u “shkatërrua” të dielën, pasi ministri i mbrojtjes Panos Kammenos, kreu i partisë së Grekëve të Pavarur (ANEL), la qeverinë duke cënuar shumicën e drejtpërdrejtë në parlament dhe ngritur mundësinë për zgjedhje të menjëhershme.
Por investitorët janë relativisht të bindur se Tsipras mund të fitojë votëbesimin, por edhe nëse humbet, kjo do të nënkuptonte afrimin me disa muaj të zgjedhjeve të planifikuara për në tetor, thanë bankierë dhe analistë.
Ligjbërësit grekë do të fillojnë debatin mbi mocionin e besimit gjatë ditës së sotme, duke kulmuar me një votim të mërkurën vonë. Syriza ka 145 vende në dhomën me 300 vende dhe për t’ia dalë në votëbesim, Tsipras duhet të bindë të paktën 5 deputetë nga partitë e tjera.
Kyriakos Mitsotakis, kreu i partisë opozitare konservatore të Demokracisë së Re, pranoi se Tsipras mund të fitojë votën e besimit në komentet ndaj TV ANT1.
“Është e mundur që Z. Tsipras mund të arrijë 151 (deputetë), por zgjidhja më e qartë do të ishte zgjedhje kombëtare të parakohshme”, tha ai duke e quajtur ndarjen e koalicionit një “divorc të paracaktuar dhe të organizuar”.
Të hënën, ministrja e turizmit Elena Kountoura dhe një ligjvënës tjetër i ANEL, thanë se do të mbështesin Tsiprasin, ndërsa më pas Kammenos i dëboi të dy nga partia.
Megjithatë, kriza ka vënë në dyshim fatin e një marrëveshjeje të vitit 2018, që ndryshon emrin e Maqedonisë. Mbështetja parlamentare greke për emrin e ri, Maqedonia e Veriut, kërkohet me qëllim që vendi i vogël ballkanik të bashkohet me Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
Demokracia e Re e kundërshton marrëveshjen dhe është rreth tetë deri në 12 pikë përqindje përpara skuadrës së Syriza të Tsipras në sondazhet e opinionit. Parlamenti i Maqedonisë ratifikoi marrëveshjen javën e kaluar, ndërsa tani topi ka kaluar në Athinë.