Kryeministri grek, Alexis Tsipras pritet t’i mbijetojë votëbesimit të pestë në parlamentin e këtij shteti, prej kur ka ardhur në pushtet më 2015.
Votimi i 10 majit vjen në kohën kur Tsipras synon të rrisë mbështetjen para tri palë zgjedhjeve që pritet të mbahen në të ardhmen e afërt: zgjedhjet lokale, zgjedhjet për Parlamentin Evropian më 26 maj si dhe zgjedhjet kombëtare, që ka shumë mundësi të mbahen në muajin tetor.
Kjo është hera e dytë që ai ka kërkuar proces votëbesimi.
“Unë kërkoj besimin e parlamentit dhe popullit grek për 26 maj, në mënyrë që të zbatojmë planin katërvjeçar për rimëkëmbje shoqërore”, ka thënë Tsipras teksa është larguar nga samiti i Bashkimit Evropian që është mbajtur në Rumani.
Tsipras pritet të fitojë rreth 152 vota në parlamentin me 300 ulëse, mjaftueshëm për t’i mbijetuar kësaj mase.
Ai ka negociuar dhe nënshkruar marrëveshjen me kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev për ndryshim të emrit të Maqedonisë në Maqedonia e Veriut, duke i dhënë fund kontestit për emrin.
Greqia ka kundërshtuar përdorimin e këtij emri nga fqinji i saj për shkak të një province greke, të emëruar njëjtë.
Tsipras është përballur me kundërshtime nga nacionalistët e linjës së ashpër për arritjen e kësaj marrëveshjeje. Pak para nënshkrimit të marrëveshjes, partia Demokracia e Re ka kërkuar votëbesim për të.
Mirëpo pas një debati të ashpër në parlamentn grek më 25 janar, marrëveshja është miratuar derisa ky hap është mirëpritur nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara.