Kryeministri Dimitar Kovaçevski, të martën më 21 nëntor, do të jetë nikoqir i vizitës zyrtare të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Shefi i Aleancës do të zhvillojë turneun e tij disaditësh në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Të martën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, mbërrin në Shkup, kurse vizita do të nis me ceremoni zyrtare në Qeveri që do të shpqërohet me një pres-konferencë të përbashkët me Kryeministrin Dimitar Kovaçevski.
Maqedonia e Veriut do të jetë nikoqire e takimit joformal të liderëve të aleatëve të NATO-s nga rajoni.
Qeveria njofton se Stoltenbergu dhe Kovaçevki në Shkup do të presin Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq, Kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiq dhe Kryeministrin e Sllovenisë, Robert Golob.
Shefi i NATO-s në Shkup, do të takojë edhe Presidentin Stevo Pendarovski dhe Kryeparlamentarin Talat Xhaferin, kurse do t`i drejtohet edhe Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Turneun nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor, Stoltenbergu, e nis të dielën me vizitën në Sarajevë, pas cka të hënën pasdite do të udhëtojë në Prishtinë në takime me autoritetet e Kosovës, kurse të martën paradite në Beograd do të zhvillojë takime me zyrtarët serb.
Shkupi do të jetë etapa e fundit e vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor.