Rusia kishte plot 26 garues. Turqia 32. Kosova i pati gjashtë garues gjithsej.
Tabela e medaljeve është ndryshe, jo në përputhje me numrin e garuesve. E para është Kosova me tri medalje të arta e një të argjendtë. Pas saj janë Rusia e Turqia me nga dy të arta. Në Grand Prix të Antalyas, që përfundoi të dielën, Kosova për herë të parë në një garë me nivel të xhudos, doli e para në listën e vendeve më të suksesshme, shkruan Koha Ditore.
Kosova nuk ka numër të madh garuesish cilësorë, por po imponohet në mesin e vendeve gjigante të xhudos, që aktualisht vlerësohet numër një në botë prej sporteve luftarake.
“Kryesimi në tabelën e medaljeve në fund të një turneu Grand Prix është i zakonshëm për vende të mëdha të xhudos, si: Japonia, Rusia apo edhe Gjeorgjia së fundi. Kështu që vjen si një befasi që Kosova ia doli të jetë në krye të listës në fund të turneut Grand Prix të Antalyas. Vendi i parë në tabelë ka ardhur pa paraqitjen e kampiones olimpike Majlinda Kelmendi, dhe po ashtu pa medalje të xhudistit më të mirë të këtij vendi, Akil Gjakova”, ka shkruar sajti i Federatës Evropiane të Xhudos (EJU).