Turneu i Pingpongut për ditën e flamurit Kombëtar

Prishtinë | 21 Nën 2016 | 09:20 | Nga

Në Sallën e pingpongut të Pallatit të Rinisë në Prishtinë u mbajt turneu tradicional i pingpongut për nder të Flamurit Kombëtar. Morën pjesë mbi 70 pingpongistë nga Kosova dhe nga Shqipëria.

Në fillim të garës u intonua himni i Flamurit. Turneu u përshkrua me rivalitet, ndeshje interesante dhe cilësore, e posaçërisht më atmosferë sportive që u krijua nga spektatorët, duke ju falënderuar kushteve të krijuara për lojë me renovimet e fundit që i ka bërë FPPK në sallë.

Në konkurrencën e femrave krahas lojtareve më të mira nga Kosova rivalitetin e rriti pjesëmarrja e vashave nga Teuta e Durrësit.

Deri në garat gjysmëfinale rrjedha e garës ishte sipas parashikimeve, por ditën më të mirë, sot e pati Linda Zeqiri nga KP Drita e Gjilanit, e cila doli e para. Lindës punën ia lehtësoi Vlona Maloku, lojtarja më e mirë e viteve të fundit, e cila për arsye shëndetësore e dorëzoi ndeshjen në setin e parë.

Në ndeshjene e dytë gjysmëfinale, Era Janjeva megjithë lojën e mirë dhe përpjekjet këmbëngulëse, nuk ia doli që ta mposhtë Liridona Rexhën nga Durrësi, e njohur për lojën e saj mbrojtëse të papërshtatshme. Në ndeshjen finale, u zhvillua një betejë e madhe, pasi u desh të zhvilloheshin 5 sete për të nxjerrë fituesin. Linda Zeqiri ka zhvilluar njërën nga lojët e saj më të mira dhe me mençuri ia doli ta fitojë ndeshjen me 3:2 në seta dhe pas një kohe relativisht të gjatë të fitojë një turne të rëndësishëm.

Te meshkujt, poashtu pati ndeshje të mira dhe cilësore. Dita e sotme kaloi në shenjë të dy lojtarëve, të riut Yll Dragidella që u rendit i treti, për herë të parë në konkurrencën e seniorëve, si dhe veteranit, Besart Domaniku, që doli i pari. Mentor Shabani, poashtu pati një ditë të suksesshme pasi në çerekfinale e eliminoi Baton Çitakun, kurse në gjysmëfinale u mund nga Domaniku pas një loje dramatike me 3:2 në seta. Në takimin tjetër gjysmëfinal, Linor Çitaku, bartësi i parë, hasi në rezistencë të Dragidellës dhe iu desh të djersitet mirë për të arritur në finale.

Finalja solli shumë rivalitet, lojë të hapur sulmuese dhe pa kalkulime. Lojtarët ndërroheshin në fitimin e setave, herë njëri e herë tjetri për ta zhvilluar setin final, të pestin të cilin me meritë e fitoi Besart Domaniku. Domaniku kështu rikthehet te fitimi i trofeve dhe dëshmoi se kur e ka ditën arrin ta mposhtë secilin.

Fituesit u shpërblyen m mirënjohje dhe medalje, kampionët edhe me Kupa.

Renditja:

Femrat:

  1. Linda Zeqiri
  2. Liridona Rexha
  3. Era Janjeva
  4. Vlona Maloku

Meshkujt:

  1. Besar Domaniku
  2. Linor Çitaku
  3. Yll Dragidella
  4.  Mentor Shabani.
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme