Autoritetet turke kanë arrestuar një burrë të dyshuar për vrasjen e Presidentit të Haitit, Jovenel Moise, në korrik të këtij viti. Lajmin e bëri të ditur ministri i Jashtëm i Haitit, Claude Joseph.
Moise, i cili erdhi në pushtet në vitin 2017, u qëllua për vdekje në rezidencën e tij private, ndërsa bashkëshortja e tij mbeti e plagosur. Një grup i mercenarëve kolumbianë ishin të dyshuarit kryesorë, por askush ende nuk është akuzuar ose dënuar në lidhje me rastin.
“Sapo zhvillova një bisedë telefonike me ministrin turk, mikun tim, Mevlut Cavusoglu, për ta falënderuar Turqinë për arrestimin e Samir Handal-it, një nga personat me interes të madh në hetimin për vrasjen e presidentit”, shkroi kryediplomati i Haitit në Twitter.
Mediet turke raportuan të martën se Handal, i cili ishte në kërkim nën shenjën e kuqe të Interpolit, u ndalua në Aeroportin e Stambollit nga autoritetet turke, përderisa po kalonte transit nga Shtetet e Bashkuar për në Jordani, shkruan Reuters.
Ministria e Brendshme e Turqisë nuk i është përgjigjur menjëherë kërkesës për të komentuar rreth kësaj çështjeje.