Nëse deri më tani Itali e Greqia ishin destinacionet kryesore të trafikantëve për të çuar kanbisin e prodhuar në Shqipëri, tashmë është shtuar edhe Turqia.
Një rast i tillë ka qenë edhe ai i skafit të kapur në Greqi, pranë ishullit Kea jo shumë larg Athinës, me 1.6 ton hashash, i cili sipas hetimeve të autoriteteve greke rezulton se destinacionin fundor kishte një plazh të Stambollit.
Iternerari i skafit që u nis nga brigjet shqiptare në orët e para të mëngjesit të së premtes, dyshohet diku pranë Himarës, është zbuluar tashmë nga hetimet e Rojës Bregdetare greke. Skafi do përshkonte gjithë detin Jon, do futej në Detin Egje dhe nga aty do të zbarkonte drogën në një plazh të Turqisë, pranë qytetit të Stambollit.
Por cilat janë arsyet që i kanë shtyrë trafikantët të ndërmarrinm një rrugë kaq të gjatë dhe të rrezikshme për të çuar kanabisin shqiptar deri në Turqi? Sipas burimeve të “Shqiptarja.com” ka disa muaj që trafikantët shqiptarë e kanë zgjeruar aktivitetin e tyre duke shkëmbyer drogën e lehtë me drogë të fortë me “kolegët” e tyre turq.
Këto burime bëjnë me dije se hashashi shqiptar nuk shitet në Turqi, por shkëmbehet me heroinë. Për 1 kg heroinë që japin trafikantët turq kërkojnë nga 3kg deri në 3.5kg kanabis. Pas shkëmbimit heroina futet në Greqi, ku grupet greko-shqiptare kanë një treg të gjerë shpërndarje. Një pjesë e saj shitet në tregun vendas, ndërsa pjesa tjetër dërgohet në shtete në Veri të Europës, ku edhe çmimi i shitjes është më i shtrenjtë.
Burime të “Shqiptarja.com” bëjnë me dije se pas kapjes së skafit me 1.6 ton kanabis, hetuesit grekë janë duke punuar për të saktësuar mënyrën se si droga do të shkonte në Turqi. Nëse do të ndalonte diku në brigjet e gadishullit të Atikës, apo do të vazhdonte direkt për në Stamboll. Edhe pse sipas informacioneve pista e dytë ishtë më e mundëshmja, historiku i trafikut lë dyshime edhe për baza tokësore pranë Athinës.
Trafikantët i përdorin këto baza për të ruajtur kanabisin dhe më pas me skafe të shpejta në rrugë detare, apo me maune në rrugë tokësore e fusin drogën në Turqi nga ku marrin heroinën të cilën e rifusin në Greqi, po nëpërmjet këtyre rrugëve.