Turqia dhe Rusia nisin monitorimin e përbashkët të armëpushimit në Nagorno Karabak

Prishtinë | 30 Jan 2021 | 10:59 | Nga Ekonomia Online

Një qendër e përbashkët vëzhgimi turko-ruse, që do të monitorojë armëpushimin ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit në rajonin e Nagorno-Karabakut, nis punën më 30 janar.

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar njoftoi më 29 janar se një gjeneral turk dhe 38 oficerë do të stacionohen në këtë qendër.

Më herët zyrtarët turq patën thënë se qendra vëzhguese do të vendoset në rajonin Aghdam të Azerbajxhanit, territor i cili u mor nga armenët gjatë konfliktit gjashtëjavor. Monitorimi i armëpushimit do të ndihmohet edhe nga dronët.

“Aktivitetet tona do të intensifikohen me punën e kësaj qendre të përbashkët turko-ruse dhe ne do të përmbushim obligimin tonë për të mbrojtur të drejtat e vëllezërve tanë azerbajxhanas”, tha Akar në një deklaratë të publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Mbrojtjes.

Turqia dhe Rusia u pajtuan që ta krijojnë qendrën e përbashkët të vëzhgimit pak kohë, pasi në nëntor, me ndërmjetësimin e Moskës palët arritën marrëveshje armëpushimi, që i dha fund luftimeve në rajonin e shkëputur të Nagorno Karabakut. Turqia ka mbështetur në këtë konflikt Azerbajxhanin.

Sipas marrëveshjes së armëpushimit, një pjesë e Nagorno Karabakut dhe shtatë qarqet e tij tani janë nën administrimin e Azerbajxhanit, pasi për pothuajse 30 vjet ato kishin qenë nën kontrollin e armenëve etnikë.

Rreth 2,000 paqeruajtës rusë janë vendosur përgjatë zonave të vijës së frontit dhe në zonat që lidhin Nagorno Karabakun me Armeninë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme