Turqia e ka dënuar trjatimin që po ia bën Kina pakicës së ujgurëve myslimanë, duke e quajtur atë “turp të madh për njerëzimin”. Arrestimin e shumë ujgurëve në Kinë e kanë dënuar edhe grupet e ndryshme ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
“Politikat e autoriteteve kineze për asimilim sistematik të pakicës ujgure janë një turp i madh për njerëzimin”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy. Ai gjithashtu shtoi se kanë marrë lajmin për vdekjen në burg të poetit dhe muzikantit ujgur, Abdurehim Heyit.
“E kemi marrë me pikëllim të madh lajmin për vdekjen e poetit Abdurehim Heyit, i cili ishte dënuar me tetë vjet burgim për kompozimet e tij. Ky incident tragjik e ka forcuar reagimin e popullit turk ndaj shkeljeve serioze të të drejtave të njeriut në rajonin e Xinjiangut”, tha Aksoy.
Rajoni veriperëndimor kinez i Xinjangut, ku jetojnë shumica e ujgurëve, ka qenë nën mbikëqyrje të madhe policore viteve të fundit për shkak të tensioneve të dhunshme mes grupeve të ndryshme etnike.
Sipas grupit të ekspertëve të Kombeve të Bashkuara, gati një milion ujgurë dhe pakica tjera që i flasin gjuhët turkike po mbahen me forcë në kampet e edukimit. Sipas autoriteteve kineze, këto kampe i mbajnë njerëzit larg aktiviteteve terroriste dhe ua mundësojnë atyre integrimin në shoqëri.
Sidoqoftë, kritkët thonë se Kina po synon t’i asimilojë pakicat të cilat praktikojnë fe dhe kultura që nuk përshtaten me ideologjinë komuniste. Rrjedhimisht, Turqia ka kërkuar nga sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, që të ndërmarrë veprime efektive për t’i dhënë fund këtij trajtimi të pakicës ujgure, shkruan “The Guardian”,
Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme/turqia-e-quan-turp-per-njerezimin-trajtimin-e-pakices-ujgure-ne-kine-625267/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright