Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Turqisë ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Këshillit të Shtetit në Greqi që ka liruar sërish me kusht kontrolli për një kohë të përkohshme, Sulejman Özkaynakçı, i cili u arratis në Greqi pas përpjekjes së grushtit të FETO- më 15 korrik 2016, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Jashtme e Turqisë, rikujtohet se Këshilli i Shtetit në Greqi më 19 prill ka vendosur lirimin e Süleyman Özkaynakçı, një prej puçistëve që ka marrë pjesë në tentativën tradhtare për grusht shteti të 15 korrikut dhe i cili pasi u arratis nga Turqia ka kërkuar azil në Greqi.
“Pavarësisht deklaratave të tilla se Özkaynakçı është liruar me kusht të kontrollit të rreptë, ky vendim ka treguar se nuk janë marrë masat e nevojshme në lidhje me një tradhtar që ka marrë pjesë në tentativën për grusht shteti dhe ka vërtetuar edhe njëherë se Greqia është një vend që mbron dhe mbështet puçistët”, thuhet në deklaratën e MPJ-së turke.
Ndër të tjera në deklaratë rikujtohet se zyrtarët grekë kanë bërë deklarata në shtyp se “në ditët në vijim do të lirohen edhe puçistët e tjerë tradhtarë”.
“Kjo situatë, nuk mund të deklarohet si një zbatim i thjeshtë ashtu sikurse kanë pretenduar zyrtarët grekë për afatet e paraburgimit. Gjyqësori grek duke refuzuar për disa herë ekstradimin e puçistëve në vendin tonë, ka përgatitur bazën për një rezultat të tillë që ka plagosur ndërgjegjen e opinionit. Ne vazhdojmë vendosmërinë tonë për ekstradimin dhe gjykimin në vendin tonë të puçistëve”, thuhet në deklaratën nga MPJ e Turqisë.