Parlamenti turk ka ratifikuar Marrëveshjen e re për tregti të lirë midis Serbisë e Turqisë.
Me këtë, sipas Rasim Lajiqit, zëvendëskryeministër i Serbisë dhe njëherësh ministër i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit, janë krijuar kushtet që një numër më i madh prodhimesh të gjenden në zonën e tregtisë së lirë midis dy vendeve.
Falë Marrëveshjes së re për tregti të lirë, sipas Lajiqit, Serbisë për herë të parë i është lejuar eksporti vjetor në Turqi i 5 mijë tonëve mish viçi, 25 mijë tonëve të vajit të papërpunuar të lulediellit, 15 mijë tonëve të farave të lulediellit, 5 mijë tonëve të sojës, 1 mijë tonëve të preparateve që përdoren në ushqyerjen e kafshëve dhe 500 tonëve të produkteve të ndryshme brumore.
“Krahas kuotave për produktet e përmendura, marrëveshja mundëson dyfishimin e kuotave për tregti të lirë të bizeles, groshës, misrit dhe kumbullave të thata”, ka thënë ministri Lajiq, raporton B92, përcjell Koha.net.
Lajiq ka thënë se pret që Marrëveshja do të jetë një shtytës i madh për rritjen e eksportit të Serbisë në Turqi dhe zgjerimin e shkëmbimit të mallrave midis dy vendeve, që më 2018 tejkaloi shumën prej një miliard eurosh.
Ministri ka theksuar se të enjten në Beograd kanë nisur bisedimet dyditore për arritjen e Marrëveshjes për tregti të lirë me Unionin Euroaziatik ku bëjnë pjesë Rusia, Bjellorusia, Kazakistani, Armenia dhe Kirgistani, draftimi i së cilës pritet me rastin e vizitës që do t’ia bëjë Serbisë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, më 17 janar.
“Për një pjesë e mirë e përmbajtjes së kësaj marrëveshjeje ka dakordësi qysh prej raundeve të mëhershme të bisedimeve, dhe ka mbetur që ekspertët të deklarohen edhe për gjashtë linja tarifore”, ka thënë Lajiq.