Turqia paralajmëron Kosovën për sulme “terroriste”

Prishtinë | 30 Kor 2016 | 09:55 | Nga

Turqia ka reaguar me forcë dhe në rrëmbim, ndaj një organizate të klerikut migrant Fetullah Gylen, jo vetëm brenda territorit të saj, por edhe në rajonin e Ballkanit, pa e përjashtuar Kosovën.

Autoritetet turke kanë ngritur shqetësimet e tyre për sigurinë e institucioneve që kanë hapur në Kosovë, kryesisht në qendrat kulturore.

Në një komunikim zyrtar të Ambasadës turke në Prishtinë me Ministrinë e Jashtme të Kosovës, autoritetet turke “kanë tërhequr vërejtjen për sulme të mundshme”, nga siç thuhet “Organizata terroriste Fetullah Gylen mbi Qendrat Kulturore Turke ‘Yunus Emre’ në Kosovë”.

Në bazë të shkresës, të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë, që mban datën e 23 korrikut, Ambasada turke “kërkon nga autoritetet në Kosovë që të ndërmarrin masa shtesë të sigurisë përreth ndërtesave të Qendrave Kulturore ‘Yunus Emre’ me qëllim të mbrojtjes së tyre në Prishtinë, Prizren e Pejë”.

Qendrat kulturore turke ‘Yunus Emre’ u hapën në Kosovë afro 5 vjet më parë dhe u shtrinë fillimisht në Prishtinë e Prizren, dhe më vonë edhe në Pejë, me programe në fushën e kulturës dhe arsimimit, posaçërisht nëpërmjet kurseve të mësimit të gjuhës turke. Mbështetësja kryesore e këtyre qendrave është Konsullata e përgjithshme e Turqisë në Prizren, që thuhet se edhe i financon ato.

Pas grusht-shtetit të dështuar në Turqi, autoritetet në Ankara në përpjekje për të dëshmuar përfshirjen e klerikut mërgimtar Fethullah Gylen në aktivitetet puçiste, nxituan të kërkojnë edhe veprime konkrete të shteteve në Ballkan ndaj organizatave që ai kishte hapur në këtë rajon.

Kërkesa e Ambasadës turke për masa parandaluese në mbrojtje të Qendrave Kulturore nga veprimet, siç thuhet, terroriste nga mekanizmat e sigurisë në Kosovë, është vlerësuar “e pabazuar”.

Zyrtarë të Policisë së Kosovës i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se nuk ka asnjë shenjë për “veprime terroriste brenda territorit të Kosovës”, por shtuan se masat e sigurisë në kohë të kërcënimeve globale nga sulmet e mundshme terroriste, janë pjesë e domosdoshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve të vendit.

“Deri tani nuk ka ndonjë indikacion se ekziston ndonjë rrezik potencial në vend, përderisa Policia e Kosovës është gjithnjë vigjilente dhe e përkushtuar për garantimin e sigurisë së përgjithshme dhe lëvizjen e lirë, duke pasur parasysh që edhe në këtë kohë verore edhe fluksi i njerëzve dhe automjeteve është më i madh, posaçërisht kur një numër i madh i bashkatdhetarëve tanë vjen në vendlindje për pushime”.

“Në pajtim me nevojën për kapacitete shtesë, PK-ja angazhon edhe zyrtarë të mjaftueshëm për menaxhim të sigurisë dhe garantim të lëvizjes së lirë”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Turqia u bë e pranishme në Kosovë që prej përfundimit të luftës me shtrirjen kryesisht në fushën e arsimit. Hapja e shkollave që financohen nga Turqia nisi në vitin 2003 dhe shumica e tyre janë pjesë të organizatës joqeveritare, Gylistan, ndryshe Lëvizjes së Gylenit.

Shkollat e financuara janë shtrirë në komunat e Lipjanit, Prizrenit, Gjakovës dhe në lagjen Marigona në afërsi të Prishtinës dhe që të gjitha thuhet se veprojnë në kuadër të shkollës “Mehmet Akif”.

Por, njohës të rrethanave në Kosovë thonë se një pjesë e organizatave me bazë turke e me mbështetje të pushtetit “kanë qenë të përfshira në Kosovë në rekrutimin e luftëtarëve të ISIS-it dhe rrymave opozitare në Siri”.

Naim Rashiti nga Grupi për Ballkanin i ka thënë Radios Evropa e Lirë se përplasjet ndërmjet pushtetit në Turqi dhe rrymës Gylen, nuk ka shenja se mund të “zhvendosen në Kosovë” kurse, sipas tij, në të kundërtën “ato janë të inskenuara”.

“Krejt kjo ndoshta është betejë për shtrirje të influencës apo më mirë të themi se pushteti i Erdoganit do zhbërjen e influencës Gylenit në Turqi dhe jashtë saj”, thotë Rashiti

Turqia njihet ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën me shpalljen e pavarësisë në shkurt të vitit 2008, dhe një prej vendeve që ka shtrirë ndikimin e saj në shtetin e ri. Autoritetet në Kosovë ia dhanë menaxhimin e aeroportit të vetëm ndërkombëtar një kompanie të përzier turko – franceze dhe njëkohësisht edhe kompaninë energjetike ne vend.

Një konsorcium turko – amerikan mori përsipër ndërtimin e dy autostradave të vendit në projekte afro dy miliardë euro. Investimet turke u shtrinë edhe në arsim e kulturë dhe posaçërisht në fushën e fesë, me rindërtim dhe ndërtime të xhamive në vend.

Bazuar në deklarimet e zyrtarëve të agjencive turke që ndihmojnë në zhvillimin e projekteve të ndryshme, Turqia ka edhe mbi 500 projekte të tjera të realizuara që prej pasluftës e deri më sot, dhe një pjesë e tyre po vazhdojnë të realizohen. /rel/

Të ngjashme