Në përfundim të vizitës së tij në Turqi, Zëvendës-Kryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, takoi edhe
Kryeministrin e Turqisë, Binali Yildrim.
Në kuadër të këtij takimi, Zëvendës-Kryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka falenderuar Kryeministrin, Yildrim, për mbështetjen e fuqishme, që Turqia i ka dhënë dhe do t’i jep edhe më fuqishëm Kosovës në procesin e njohjes, anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe për vendosmërinë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik dhe rritjes së investimeve në Kosovë.
Me këtë rast, Zëvendës-Kryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, i ka përcjellur ftesën Kryeministrit, Yildrim, për të vizituar Kosovën në një kohë të përshatshme, gjë e cila është pranuar me kënaqësi nga Kryeministri Yildrim.
Ftesën e ngjashme për të vizituar Kosovën, Ministri i Jashtëm Pacolli i ka përcjellur nëpërmjet Kryeministrit Yildrim edhe Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, vizitë kjo, që pritet të ndodh në një të ardhme të afërt.
Gjatë këtij takimi shumë miqësorë, të dy bashkëbiseduesit kanë vlerësuar lartë marrëdhëniet e shkëlqyera në mes dy vendeve dhe dy popujve, duke shprehur përkushtimin dhe zotimin e dy- anshëm për t’I focuar dhe thelluar ato edhe më shumë. Më herët gjatë ditës, u takua edhe me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Turqisë, Lütfi Elvan, dhe së bashku e hapën Forumin e Biznesit, Kosovë-Turqi me prezencën e shumë kompanive si nga pala turke, por, edhe nga ajo e Kosovës. Vizita e Zëvendës-Kryeministrit të Parë dhe Ministrit të Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, është e para në Turqi, që nga ardhja e tij në pushtet në këtë funksion.