Ministria e Jashtme e Turqisë ka komentuar protestat para ambasadës turke në Prishtinë, por edhe për shkrimet e mediave.
Zëdhënësi i kësaj ministrie, Hami Aksyou në një deklaratë të publikuar në ueb-faqen e MPJ-së turke ka thënë se fytyra e organizatës së Gylenit “është ekspozuar me veprimet kundër Turqisë”.
Në këtë komunikatë është thënë se Kosova e ka përgjegjësinë për sigurinë e shtetasve turq, misioneve dhe zyrtarëve tjerë.
“Fytyra e vërtetë e organiztës Feto përsëri është duke u ekspozuar në gjithë botën me veprimet e tyre kundër Turqisë dhe misioneve të saj. Autoriteteve të Kosovës u është rikujtuar se siguria e shtetasve turq, misioneve, zyrtarëve dhe kompanive në vend është kryekëput përgjegjësi e Kosovës si vend pritës dhe presim që të veprojnë në kuadër të obligimeve të tyre ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Ministria e Jashtme turke, transmeton lajmi.net.
Aksyou ka kërkuar nga Kosova që të kenë kujdes ndaj veprimeve që ndërmarrin për “gylenistët”.
Kanë kritikuar edhe mediat për lajmet provokuese që sipas MPJ-së turke, synojnë të sulmojnë ambasadoren e Turqisë.
“Ne gjithashtu presim që miqtë tanë të kenë një qasje të kujdesshme dhe të pakompromis ndaj veprimeve të këtyre anëtarëve të organizatës terroriste dhe qarqeve që i mbështesin ato.Nga ana tjetër, lajmet provokuese në mediet që kanë për qëllim Ambasadën tonë, vecanërisht Ambasadoren tonë , duke pohuar se njerëzit që u deportuan nga Kosova ishin në Ambasadën tonë në Prishtinë janë të pabazuara. Ne gjithashtu hedhim poshtë dhe dënojmë me forcë manipulimet e tilla të dëmshme të medieve”, përfundon komunikata.
Ky reagim ka ardhur pas raportimeve se ambasadorja e Turqisë ka qenë e përfshirë në ekstradimin e 6 shtetasve turq.
Për ekstradimin e “gylenistëve” është protestuar disa herë edhe para ambasadës turke në Kosovë, por edhe para qeverisë.