Prokurorët turq urdhëruan të premten arrestimin e 103 ushtarëve me lidhje të dyshuara me klerikun islamik në ShBA, Fethullah Gulen, të akuzuar për orkestrimin e tentimit të dështuar për puç në mes të vitit 2016, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve “Anadolu”.
Policia ka ndërmarrë operacione të rregullta kundër mbështetësve të pretenduar të Gulenit, që prej ngjarjeve të korrikut të 2016-s, gjatë të cilave më se 250 persona humbën jetët. Guleni ka hedhur poshtë përfshirjen në këtë ngjarje, transmeton Koha Ditore.
Në operacionin e fundit, të ndërmarrë në Stamboll dhe 31 krahina të tjera, policia ka arrestuar deri më tani 74 persona, ka raportuar “Anadolu”.
Të 103 të dyshuarit, që të gjithë shërbyes aktiv të ushtrisë, përfshirë kolonelë dhe lejtënant, po hetohen rreth komunikimeve të tyre nëpërmjet një linje speciale telefonike.
Autoritetet bënë të ditur se pjesëtarët e rrjetit të Gulenit kanë komunikuar nëpërmjet linjave telefonike me pagesë. Aleatët perëndimorë të Turqisë kanë kritikuar masat e shtypjes, të cilat kanë ndodhur kryesisht nën gjendjen e jashtëzakonshme, të shpallur pak pas tentim puçit dhe të zbatuar deri në korrik të këtij viti.