Ministri i Forcës së Sigurisë të Kosovës (MFSK), Haki Demolli priti sot në vizitë zyrtare ambasadoren e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kilic, e cila shoqërohej edhe nga atasheu ushtarak i Turqisë në Kosovë, kolonel Necdet Ozdemir.
Ministri Demolli e falënderoi ambasadoren Kilic për bashkëpunimin dhe mbështetjen që Qeveria e Turqisë dhe Ministria e Mbrojtjes së Turqisë kanë dhënë dhe po japin për Ministrinë e Forcës së Sigurisë të Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Më tej ministri Demolli duke i shprehur ngushëllime Ambasadores turke për humbjen e jetëve të njerëzve, tha se “Republika e Turqisë është një partner i yni strategjik dhe për këtë ne duam që ajo të jetë stabile dhe në paqe”.
Duke konfirmuar se bashkëpunimi bilateral me Ministrinë e Mbrojtjes të Turqisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, ministri shprehu solidaritetin me popullin e Turqisë, të cilët, siç tha ai mbrojtën demokracinë dhe lirinë në vendin e tyre.
Ambasadorja e Turqisë në Kosovë Kiliç e falënderoi ministrin Demolli për pritjen si dhe për bashkëpunimin e deritashëm në mes dy shteteve dhe dy ministrive: Ministrisë për FSK-në dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Turqisë, gjithashtu edhe për solidaritetin e Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së FSK-së me Qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Turqisë edhe me popullin turk në përgjithësi.
Kilic u shpreh optimiste se Republika e Turqisë do të dalë edhe më e fortë nga situata e krijuar dhe se bashkëpunimi me Kosovën dhe Ministrinë e FSK-së, do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Ne duam që Kosova e bukur të ketë të ardhme të ndritur dhe marrëdhëniet tona në mes të dyja shteteve dhe dy popujve, të intensifikohen në të ardhmen në të gjitha segmentet e jetës”, tha ajo.