Bashkimi Evropian “nuk është i bindur” nga propozimet e kryeministrit britanik, Boris Johnson, për marrëveshjen për Brexit, apo daljen e Britanisë nga BE-ja.
Presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk, tha se ka biseduar në telefon me kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar, dhe se të dy ata janë skeptikë ndaj propozimeve të Johnsonit.
Tusk tha se mesazhi i tij për udhëheqësin irlandez ka qenë se BE-ja “qëndron plotësisht pas Irlandës”.
Një nga çështjet kryesore që e pengon marrëveshjen është e ardhmja e kufirit midis Irlandës Veriore – e cila është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar dhe do ta linte BE-në me pjesën tjetër të vendit – dhe Republikës së Irlandës, e cila është pjesë e BE-së.
Sipas propozimeve të Johnsonit, Irlanda Veriore do të mbetej në tregun e BE-së për mallrat, por do ta linte bashkimin doganor.
Mosmarrëveshjet dhe paqartësitë, megjithatë, vazhdojnë për mënyrën se si do të duket kufiri midis Irlandës dhe Irlandës Veriore.
Bisedime të reja në Bruksel do të vazhdojnë sot.
Britania duhet të largohet nga BE-ja më 31 tetor, nëse nuk kërkon zgjatje të afatit dhe nëse nuk i garantohet një e tillë.
Johnson ka thënë vazhdimisht se ai nuk do të kërkojë shtyrje të afatit dhe se Brexit-i do të ndodhë në fund të këtij muaji, me ose pa marrëveshje.
Parlamenti britanik, megjithatë, ka votuar për të bllokuar Brexit-in pa marrëveshje.
Kritikët thonë se largimi nga BE-ja pa marrëveshje mund të ketë pasoja shkatërruese për Britaninë.