Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) ka lansuar dy skema të reja garantuese – dritareve të FKGK-së: “Gratë në biznes” dhe “Startup”, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast ushtruesi i detyrës së Guvernatorit të BQK-së, Bashkim Nurboja, tha se ky institucion për në periudhë të shkurtë ka arritur që të shndërrohet në një institucion të rëndësishëm duke luajtur një rol të veçantë në rritjen dhe lehtësimin e financimit për ekonominë e vendit.
Duke folur për sistemin bankar ai tha se vlera e kredive deri në muajin shkurt ka arritur në 4.33 miliardë euro duke shënuar rritje vjetore prej 15.1%.
Sipas tij, vlera e kredive të bizneseve me pronar gra është 643 milionë euro, apo 29% e totalit të kredive të bizneseve prej 2.2 miliardëve eurove.
Ai ka sqaruar se vlera e depozitave të bizneseve me pronare gra është 112 milionë apo 7% e gjithsej depozitave të bizneseve nga 1.7 miliardë euro.
“Është kënaqësi e veçantë të jem pjesë e kësaj ceremonie që shënon përvjetorin e 7-të të themelimit të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, e gjithashtu edhe të lansimit të dy dritareve të reja garantuese për gratë në biznes dhe Startup-i. Fondi Kosovar për Garanci Kreditore me përkrahje të miqve dhe partnerëve ndërkombëtar brenda një periudhe relativisht të shkurtë kohore ka arritur të shndërrohet në një institucion të rëndësishëm duke luajtur një rol të veçantë në rritjen dhe lehtësimin e financimit për ekonominë e vendit”.
“Kreditimi bankar vazhdon të jetë një burim shumë i rëndësishëm dhe i qëndrueshëm i financimit të sektorit privat në Kosovë, vlera e kredive të sektorit bankar deri në muajin shkurt të 2023-ës ka arritur në 4.33 miliardë euro duke shënuar rritje vjetore prej 15.1%, megjithëse ekziston një trend i kënaqshëm i rritjes së kreditimit në vend, shkalla e ndërmjetësimit financiar në Kosovë duhet të rritet edhe më tej dhe se në raport me madhësinë e ekonomisë ekziston hapësirë e mëtejme, për zgjerim të aktivitetit të kredi dhënies e sidomos për përfshirjen e grave në aktivitetet ekonomike”.
“Një rol të rëndësishëm në plotësimin e kësaj hapësire e ka pikërisht fondi kosovar për garanci kreditore, i cili përmes mekanizmit të tij garantues do të mundësojë rritjen e kreditimit dhe lehtësimin e kushteve të qasjes në kredi. Më lejoni t’i ndajë disa të dhëna nga sektori bankar me juve, numri i llogarive të bizneseve me pronar gra në sektorin bankar është 21 mijë e 247 krahasuar me 104 mijë e 461 me pronar burra, apo 17% e gjithsej llogarive, domethënë të bizneseve”.
“Vlera e depozitave të bizneseve me pronare gra është 112 milionë apo 7% e gjithsej depozitave të bizneseve nga 1.7 miliardë sa janë të bizneseve. Numri i kredive të bizneseve me pronar gra është që janë të hapura apo aktive është 8 185 apo 25% e numrit të kredive të bizneseve krahasuar me numrin e kredive prej 24 mijë e 546 apo 74% të bizneseve me pronar burra, ndërkohë që vlera e kredive të bizneseve me pronar gra është 643 milionë euro, apo 29% e totalit të kredive të bizneseve prej 2.2 miliardëve”.
Ai ka deklaruar se shkalla e ndërmjetësimit financiar në Kosovë duhet të rritet edhe më tej, dhe se në raport me madhësinë e ekonomisë, ekziston hapësirë e mëtejmë për zgjerim të aktivitetit të kredidhënies.
“Dritarja e re garantuese për gratë në biznes përveç se është lajm i mirë për bizneset e reja dhe ekonominë e vendit në përgjithësi, është e një rëndësie të veçantë që përveç fuqizimit ekonomik të grave, do të ndikoj edhe në përfshirjen e tyre në ekonominë e vendit dhe në fusha tjera të jetës. BQK-ja e sheh dritaren e re garantuese për gratë në biznes si një mundësi të mirë për promovimin e barazisë gjinore dhe beson se barazia e mundësive ekonomike për gratë dhe burrat është një element kyç i një ekonomie tregu moderne, mirë funksionale dhe është thelbësore për rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Andaj, këto dy dritare garantuese për gratë në biznes dhe start up do të ndihmojnë në rritjen dhe zhvillimin e bizneseve, duke kontribuar në zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik të vendit”.
Nurboja, ka deklaruar se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës vazhdon të mbështesë dhe të shtyjë sektorin financiar në rritjen e mbështetjes ndaj ekonomisë së vendit.
Ministrja e Industrisë Ndërmarrësis dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se ministria që udhëheqë ka qenë pjesë e themelimit të këtij Fondi.
Ajo tha se është mirë që iu është mundësuar grave në biznes për të marr kredi, pasi sipas saj si në Kosovë dhe vendet e tjera gratë marrin kredi më pak se burrat.
“Ministria e Industrisë Ndërmarrësis dhe Tregtisë që nga fillimi ka qenë pjesë e themelimit të këtij fondi duke kontribuar në hartimin e ligjit dhe në kapitalin themeltar në Fondin Kosovarë për garanci Kreditore. Më duhet të mos e fsheh gëzimin tim, këto dy dritare të reja u dedikohen dy kategorive të ndjeshme të shoqërisë sonë, grave ndërmarrse dhe starup-ve”.
“Gëzohem për dritaren dedikuar grave në biznes sepse në Kosovë sikur se edhe në shumë vende të tjera të botës gratë marrin kredi më pak se burrat. Gratë e kanë dëshmuar që janë po aq të zonjat, po aq menaxhere të mira e po aq vizionare në biznese e zhvillim sa edhe burrat nëse edhe më shumë”, tha ajo.
U.d kryesuese e Bordit të Fondit, Arta Hoxha, tha se Fondi ka qenë gjithmonë i përkushtuar që të i’u lehtësoj qasjen në financa ndërmarrjeve mikro të vogla edhe të mesme.
Ajo tha se Fondi operon me një kapital prej 55 milionë euro, raporton EO.
“Fondi ka qenë gjithmonë i përkushtuar që të kontribuoj në lehtësimin e qasjes në financa për ndërmarrjet mikro të vogla edhe të mesme dhe ne jemi krenar që sot po vazhdojmë këtë traditë me lanësimin e këtyre dy dritareve të reja. Fondi është themeluar më vitin 2016 me mbështetjen e USAD-it me një kapital prej mbi 5 milion e 700 mijë euro”.
“Qeveria e Kosovës përmes MINT-it dhe kredisë nga Banka Botërore ka shtuar kapitalin prej mbi 24 milion euro si dhe Banka Gjermane për Zhvillim ka kontribuar me një kapital prej mbi 24 milion eurove brenda këtyre shtatë viteve. Fondi sot operon me një kapital prej afër 55 milion erove”, tha ajo.