U.d Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani – Sadriu, sot ka mbajtur takim virtual me drejtoreshën e USAID-it, znj. Lisa Magno.
Znj. Magno, e uroi u.d.Presidenten Osmani për fitoren në zgjedhje, dhe duke i uruar sukses të mëtejmë në punën e saj. Ajo shprehu interesimin e saj për përgatitjet që janë duke u bërë për formimin e institucioneve të reja, dhe për prioritetet e qeverisjes së ardhshme.
U.d presidentja Osmani theksoi se ndër prioritetet e para do të jetë menaxhimi me pandeminë, përkatësisht sigurimi sa më i shpejtë dhe në sasi sa më të madhe i vaksinës kundër Covid-19, për të cilën ripërsëriti që Kosova llogaritë në shtetet mike për ndihmë në atë drejtim, veçmas shtetet që deri tani ia kanë dalur në këtë drejtim.
Tutje, si prioritet, znj. Osmani shtroi çështjen e drejtësisë, luftimin e krimit dhe korrupsionit, krijimin e vendeve të punëve dhe fuqizimin e gruas, duke nënvizuar që progresi në këto fusha është i domosdoshëm për një shtet të qëndrueshëm dhe funksional.