Kosova u mbështet për muri, e kuptoi se nuk ka lojë me obligimet ndërkombëtare

Prishtinë | 27 Tet 2023 | 22:30 | Nga Skënder Hyseni

Takimet e djeshme në Bruksel në plan të parë kishin Asociacionin, me shumë mundësi një Asociacion Plus madje.

Kjo mund të thuhet mbase mbështetur në deklarimet e pjesëmarrsëve në këto takime.

Por, kjo nuk është esenca, sepse dihej që moti se zbatimi i Asociacionit nuk mund të evitohej. Është obligim ndërkombëtar i Kosovës.

E keqja është se zvarritjet e zbatimit sollën antagonizimin e Kosovës me botën demokratike dhe më pas edhe sanksione.

Pra, Kosova duhej të mbështeste veten për muri që ta kuptonte se nuk bëhet lojë me obligimet ndërkombëtare.

Këtë e dinte edhe pozita e edhe opozita por si pasojë e kalkulimeve të papranueshme politike i sollën vendit disavantazhe të mëdha në dialog.

Opozita e heshtur, sidomos LDK dështoi në përkrahjen e interesave jetike për vendin, në kohën kur siguria sfidohet në mënyrë të egër.

Siguria në Kosovë dhe rajon sot është kthyer në thelbin e raporteve ndërshtetërore në Ballkan.

Marrëveshja për Asociacionin nuk ndryshon. Ndërkaq mbetet të shihet çka përmbani drafti i Statutit të propozuar nga Quinti.

Sidoqoftë, për të parandaluar katandisjen e mëtejme të Kosovës, është imperativ i kohës dakordimi për zbatimin e shpejtë të marrëveshjeve pa humbur kohë dhe pa kalkulime.

Kurti duhet të zbres në tokë! E besa edhe të mbetet në tokë!

(Autori ka qenë ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës)

Të ngjashme