U hetuan për një kohë të gjatë, arrestohen dy të dyshuar për drogë e armë në Prizren

Prishtinë | 29 Mar 2024 | 11:12 | Nga Ekonomia Online

Departamenti i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prizren ka njoftuar se, pas një pune të gjatë hetimore, me urdhër të saj dhe në koordinim me Policinë e Kosovës, pas aplikimit të masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit, me datë 28.03.2024 ka arrestuar personat e dyshuar K.B., dhe E.Sh.

Sipas Prokurorisë, ata dy dyshohen për kryerje të veprave penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Pas zhvillimit të urdhër – kontrollit në shtëpitë dhe pjesët përcjellëse të tyre, pronë e të dyshuarve, K.B., E.Sh., dhe S.F., në shtëpinë e të dyshuarit E.Sh., policia ka gjetur dhe sekuestruar sasi të narkotikëve të llojit Kokainë me peshë rreth 500 gr. Ndërsa në lokalin e të pandehurit K.B., është gjetur dhe sekuestruar një (1) pistoletë e llojit TT dhe rreth pesëdhjetë (50) fishekë”.

“Me urdhër të prokurorit personat e dyshuar K.B., E.Sh., gjenden në ndalim 48 orësh, ndërsa i dyshuari S.F., gjendet në arrati”, ka njoftuar Prokuroria.

Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit ndaj të dyshuarve K.B. dhe E.Sh., do të parashtrojë kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.

Ndërsa, thuhet se për të dyshuarin S.F., prokuroria në bashkëpunim me policinë, janë duke kryer hetime intensive për kapjen e tij.

Të ngjashme