Gjykata Themelore në Ferizaj, trupi gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, sot 23 shkurt 2018, shpalli aktgjykim dënues ndaj të pandehurit G.R, i cili në bazë të aktakuzës së sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, akuzohet se ka kryer veprën penale “krimi i organizuar” nga neni 274 paragrafi 3 lidhur me veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotrope sipas nenit 229 paragrafi 4 nën paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal të Kosovës.
Trupi Gjykues i kryesuar nga gjyqtari Ibrahim Idrizi, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, fjalëve përfundimtare, aktakuzës së prokurorisë, të pandehurin G.R., për veprën penale “krimi i organizuar” nga neni 274 paragrafi 3 lidhur me veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe e substancave psikotrope sipas nenit 22 paragrafi 4 nën paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 të KPK-së, e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 7 vjet e 3 muaj si dhe dënim me gjobë në shumë prej 25 mijë euro.
I pandehuri G.R akuzohet se gjatë vitit 2010, në bashkëpunim me të gjykuarit I.K, Sh.H, F.M dhe A.L, duke vepruar si grup kriminal i strukturuar dhe organizuar, me qëllim të përftimit të dobisë pasurore kanë kryer krim të rëndë – ofrimit pë shitje, të shitjes dhe transportimit të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm, në atë mënyrë që i pandehuri ka organizuar dhe drejtuar veprimet e këtij grupi, kështu që në Zvicër ia ka dhënë të gjykuarit I. K. veturën dhe lejen e qarkullimit në emër të të pandehurit G.R, dhe sipas marrëveshjes e ka dërguar në Kosovë që të blejë rreth 7.5 kg narkotikë të llojit heroinë dhe pastaj t’i transportojë në Zvicër për shitje.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.