U kritikua për emërimin e tezakes së presidentes Osmani, Peci thotë se PDK-ja nuk mund të flasë për korrupsion e abuzime

Prishtinë | 22 Jan 2023 | 22:51 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i është kundërpërgjigjur koordinatorit të departamentit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Naim Ismajli, i cili ka reaguar pas emërimit të Venera Çerkinit, tezakes së presidentes Vjosa Osmani në pozitë të lartë në Qeveri, për t’i menaxhuar 68.9 milionë euro gjatë këtij viti.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka pyetur Islamin se ku ka interferuar si ministër, teksa janë ekzekutuar 70 milionë euro grante e subvencione, pa asnjë shkelje ligjore, me adresë tek bujqit meritorë e jo tek ata të xhipave, banesave e maleve për grurë.

“Na paska iluminuar PDK-ja se si duhet udhëhequr bujqësia. Zyrtarë në burg e miliona para kesh, të kapura në flagrancë gjatë marrjes së rryshfetit në Ministrinë e Bujqësisë kanë autorë dhe ideatore PDK-në. Gjatë udhëheqjes suaj dekadëshe keni menaxhuar me bujqësinë në mjegull, dhe si mos më keq, duke mos aprovuar asnjë ligj të vetëm për 9 vite rresht. Kur flet edhe PDK-ja për korrupsion dhe abuzime, marrja e Zotit. Po patët dëshirë, do t’ua listoj shkeljet ligjore me dhjetra e qindra raste, me abuzime e shkelje ligjore në po aq raste me shifra milionëshe. Aktualisht po merremi me pronat e vilat e ndërtuara në toka të shtetit e këtu, nuk i dihet, mbase dalin emra të njohur për PDK-në dhe gjithë Kosovën. Me fjalë të tjera, mos e shprushni marren”, ka shkruar ai.

Përndryshe, koordinatori i departamentit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Naim Ismajli, ka reaguar pas emërimit të Venera Çerkinit, tezakes së presidentes Vjosa Osmani në pozitë të lartë në Qeveri, për t’i menaxhuar 68.9 milionë euro gjatë këtij viti.

Ismajli ka shkruar në faqen e tij në Facebook se pas kapjes së institucioneve me militantë partiakë, krerët e shtetit tani kanë filluar të rehatojnë familjarët e tyre në pozita të rëndësishme për të menaxhuar dhjetëra miliona euro.

“Venera Çerkini, tezakja e presidentes Vjosa Osmani, u emërua drejtoreshë e Agjencionit për Zhvillim të Bujqësisë, institucion në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë që drejtohet nga ministri Faton Peci, bashkëpartiak me Osmanin në listën Guxo. Nga kjo pozitë, Venera Çerkini do të menaxhojë 68.9 milionë euro, të planifikuara për grante dhe subvencione për të gjithë fermerët e Kosovës”, tha Ismajli.

Të ngjashme