Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami dhe përfaqësues të autoriteteve komunale të Deçanit, kanë përuruar sot objektin e ri të Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Isa Boletini”, në Isniq.
Ministri Bajrami, përurimin e kësaj shkolle e ka vlerësuar si moment historik për banorët e fshatit Isniq dhe komunës së Deçanit, ndërkaq ka thënë se tradita arsimore që ka krijuar kjo shkollë na obligon që të krijojmë kushte moderne për nxënësit dhe mësimdhënësit e saj.
“Isniqi e ka merituar një shkollë të tillë, komuna e Deçanit e ka merituar një shkollë të tillë, duke dhënë kontribut në të gjitha fazat e shtet-ndërtimit, të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Pikërisht, nga kjo shkollë, e cila mban edhe emrin e patriotit tonë kanë dalë shumë nxënës që u dëshmuan edhe në mbrojtjen e atdheut. Sot po e ndërtojmë shtetin tonë me këta të rinj që janë e ardhmja e vendit tonë. Nuk ka gjë më të mirë për popullin e Kosovës se sa të investojmë për të siguruar kushte sa më të mira për mësim”, ka thënë ministri Bajrami.
Ndër të tjera, ministri Bajrami tha se, krahas ndërtimit të shkollave moderne, duhet të krijohet edhe një sistem cilësor i edukimit. “Ne mësimdhënësit kemi për detyrë që këtyre nxënësve t’u sigurojmë një arsim cilësor, një edukim të shëndoshë, që të rinjve tanë t’iu krijojmë një perspektivë për të ardhmen tonë”, është shprehur ministri Bajrami.
Ndryshe, objekti i ri shkollor përmban: 3 dhoma për para-fillor, 25 dhoma mësimi (klasa) për nivelin fillor dhe të mesëm të ulët, 3 laboratorë, bibliotekën dhe sallën e sporteve me hapësira përcjellëse.