Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja kanë përuruar sot objektin e ri të Shkollës së Mesme të Lartë “Luciano Motroni”, në Prizren.
Krye-parlamentari Veseli, në ceremoninë e përurimit të shkollës, i ka ftuar nxënësit dhe mësimdhënësit që të punojnë sa më shumë, në mënyrë që kjo shkollë në të ardhmen të dalë me rezultate edhe më të mira, ndërkaq ka thënë se, institucionet e Republikës së Kosovës janë të obliguara që të krijojnë ambiente sa më të përshtatshme për mësimdhënie dhe mësim-nxënie.
Ndërsa, ministri Bajrami ka thënë se, promovimi i diversitetit etnik, e bënë këtë shkollë model jo vetëm për Kosovën, por edhe më gjerë. “Kjo shkollë është model jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin. Një shkollë e cila promovon diversitetin etnik sepse këtu ka nxënës të komunitetit boshnjak dhe komunitetit turk. Kosova është modeli më i mirë ballkanik për integrimin e komuniteteve”, është shprehur ministri Bajrami.
Ndër të tjera, ministri Bajrami ka theksuar se, Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të investojë në ndërtimin e objekteve moderne të shkollave, të krahasueshme me ato të shteteve evropiane. “Jemi jashtëzakonisht krenarë që në Kosovë po përurojmë shkolla moderne. Një shkollë të tillë do ta shihni edhe në Paris, Vienë dhe cilindo qytet evropian. Kosova po ecën përpara dhe ne jemi të vendosur që të ndërtojmë një sistem cilësor në arsim”, ka thënë ministri Bajrami.
Ministri Bajrami ka folur edhe për vendosmërinë e institucioneve të vendit për të krijuar një edukim cilësor, ndërkaq ka shtuar se, Kosova ka mësimdhënës bashkëkohorë dhe nxënës inteligjentë, të cilët e meritojnë një sistem të tillë të edukimit.
Objekti i Shkollës së Mesme të Mjeksisë ka një sipërfaqe prej 6,318.90 m² dhe ka kushtuar rreth 2 milionë euro. Kjo shkollë ka Sallën e Edukatës Fizike, terrenet e jashtme sportive, hapësirat gjelbëruese, 20 Dhoma të mësimit, 8 Kabinete, 4 Laboratorë, Sallën e arsimtarëve, Kthinat administrative, Kthinën e bibliotekës me lexim-ore, kthinën e psikologut, mjekut të shkollës, personelit, si dhe hapësira tjera përcjellëse.