Shëndetësia vazhdon të jetë një ndër hallkat më të dobëta të shtetit social në Shqipëri.
Një familje ka denoncuar rastin e humbjes së jetës së një foshnje vetëm 1 muajshe për të cilën ministrja është kujtuar ta pyesë vetëm 3 ditë pasi fëmija kishte ndërruar jetë.
Babai i fëmijës së ndjerë ka shkruar për JOQ mbi ngjarjen e rëndë që përjetoi familja e tyre dhe reagimin e ministres së Shëndetësisë.
“Përshëndetje JOQ! Ministria e Shëndetësisë vazhdon të jetë e shqetësuar për pacientët e saj, por jo kur janë të gjallë dhe kanë nevojë për përkujdesje, por pasi ata ndërrojnë jetë.
Vajza ime ishte një muaj rresht nëpër spitale sa tek Materniteti i Ri, sa tek Pediatria në QSUT, ku Sonila Boriçi dhe Sokol Buba, dy mjekët që ishin përgjegjës për tu kujdesur për vajzën time pas operimit nuk u dukën më fare.
Vajza kishte lindur me Fibrozë Cistike dhe iu desh ndërhyrja dy ditë pasi kishte ardhur në jetë. Asnjë trajtim, asnjë mjekim dhe fjala e fundit që na thanë ishte “merre në shtëpi se nuk kemi çfarë t’i bëjmë këtu”.
Ajo pas një muaji lufte për jetën ndërroi jetë para tre ditësh dhe sot ministrja e Shëndetësisë na dërgon sms për të pyetur si ishte shërbimi, turp!”,- përfundoi qytetari.(albeu.com)