“Dardanët e rinj” do ta zhvillojnë sonte në Prishtinë ndeshjen eliminatore për Evropianin 2021 ndaj Turqisë, ku synojnë fitoren e dytë pas asaj me Andorrën
Kosova U-21 synon fitore sonte në ndeshjen kualifikuese të Kampionatit Evropian U-21 në futboll.
“Dardanët e rinj” do të përballen me Turqinë U-21, në ndeshjen që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, duke filluar nga ora 20:00.
Trajneri Rafet Prekazi, ndeshjen e sontme e ka cilësuar si mjaft të vështirë.
Në konferencë për shtyp, ai kërkoi nga lojtarët e tij që ta djersitin fanellën e Kosovës për hir të Dardanëve dhe të gjithë popullit të Kosovës.
“Besimi tek lojtarët tanë është në nivelin e duhur. Unë jam optimist real çdoherë pa marrë parasysh kundërshtarin, por kryesorja është që kjo gjeneratë tani që vjen mendoj që ka shpresë për mua si trajner, për popullin e Kosovës, për ata vetë lojtarët, sepse brenda për brenda ekipit ka kualitet. Respekt për çdo skuadër, mirëpo Kosova asnjëherë nuk vjen në shprehje me u frikësu pa marrë parasysh kundërshtarin”, theksoi Prekazi.
Ndërkaq, dy lojtarët Mirlind Daku dhe Lirim Kastrati pohuan se janë duke punuar vazhdimisht dhe besojnë që nga ndeshja e së martës mbrëma do të dalin me tri pikë.
Ata thonë se motivi tek “Dardanët e rinj” është i madh dhe synojnë fitore për ta rrëmbyer pozitën e parë në grup.
Ditë më parë, Kosova U-21 e kishte mposhtur Andorrën me rezultat të thellë, 4:0.