Gjiganti financiar UBS është gjobitur me 3.7 miliardë euro nga një gjykatë në Francë.
Gjykata arriti në përfundimin se banka zvicerane kishte ndihmuar ilegalisht klientët e saj në Francë për të fshehur miliarda euro nga autoritetet financiare mes viteve 2004-2012. Po ashtu, një rast i ngjashëm në Gjermani që kishte ndodhur mes viteve 2009-2014 ishte pranuar nga banka.
Përveç gjobës prej 3.7 miliardë euro, UBS është urdhëruar të paguajë edhe 800 milionë euro dëm shtetit francez, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
Gjykata franceze tha se banka kishte ndihmuar klientët të pastronin paratë dhe sipas prokurorëve kjo ishte bërë në mënyrë sistematike në mbështetje të konsumatorëve të bënin evazion fiskal.
Në një deklaratë zyrtare UBS, tha se kundërshtonte vendimin dhe sipas bankës autoritetet nuk kanë dhënë asnjë provë për rastin.
Në 2009 në një rast të ngjashëm UBS pagoi 780 milionë euro në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 300 milionë euro në Gjermani.